Fatkeqësi në Perugia. Vdes një foshnjë e harruar në makinë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Mjekët e 118 nuk arritën të mbajnë në jetë Jacopon, foshnjën 11 muajshe, të çiftit italo-shqiptar, të lënë prej të atit në makinë për rreth 3 orë. As dhjetë ditë më parë një tragjedi e tillë kish  ndodhur në Teramo, ku një çift humbi vajzën 22 muajshe në rrethana shumë të ngjashme

Romë, 28 maj 2011 -  Në Passignano sul Trasimeno, pranë Perugias, dje një foshnjë 11 muajsh, Jacopo, ka humbur jetën për shkak se është lënë në makinën e të atit për tre orë në diell kur temperatura jashtë ka arritur deri 30 gradë. Sipas hetuesve që po zbardhin ngjarjen, i ati i foshnjës, Sergio Riganelli, 41 vjeç, ka shkuar në Klubin e velistëve të Trasimenos ku punon, ka parkuar makinën në sheshin përballë, duke harruar të birin brenda. Rreth orës 12.30, kur ka dalë për të shkuar në shtëpi e ka gjetur djalin në gjendje agonie. Ka thirrur menjëherë ekipin e Ndihmës së shpejtë por ata nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën foshnjës.

Në vendngjarje kanë shkuar edhe karabinierët të drejtuar nga shefi i komandës provinciale të Perugias që edhe pse ka akuzuar zyrtarisht të atin për vrasje nga pakujdesia (akt i detyrueshëm në raste të tilla) ka deklaruar “Nuk kemi pse të mos mendojmë që çka ndodhi është  thjesht një fatkeqësi. Prindërit janë të dërrmuar ". Prindërit e Jacopo, Sergio dhe Eva, psikologe shqiptare, fillimisht u kontrolluan nga mjekët e repartit të ndihmës së shpejtë në spitalin Santa Maria della Misericordia të Perugias sepse u ndien keq për shkak të tronditjes,  e më pas  shkuan në morgun e të njëjtit spital ku kishin çuar edhe foshnjën.

Për çiftin të gjithë kanë vetëm fjalë të mira: ajo psikologe, rezidente në Itali prej shumë vitesh dhe e integruar më së miri, ai marinar i punësuar në Klubin e velistëve, i respektuar nga klientët dhe i vlerësuar nga kolegët e shefi. Ishin martuar pak kohë më parë dhe Jacopo, djalin e tyre të vetëm e kishin si dritën e syve. Kryebashkiaku i Passignanos ka vendosur të shpallë ditë zije, ditën e varrimit të Jacopos.

Vetëm pak ditë më parë, në Teramo në një situatë të ngjashme humbi jetën Elena, një foshnjë 22 muajshe: i ati, profesor në universitet harroi ta çonte në çerdhe dhe e la të mbyllur në makinë për disa orë.