Forlì. Muratori shqiptar vidhet prej kolegut të vet kalabrez - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Bashkë me karabinierët zbulon fajtorin e vjedhjes para një dyqani për materiale ndërtimi

Romë 29 maj 2011 – Edhe pse është fjala për një vjedhje të thjeshtë, lajmi të bën të vësh buzën në gaz pasi shkon kundër opinionit të përhapur gjerësisht që nëse ka një vjedhje me protagonistë një shqiptar e një italian, patjetër i pari është fajtori e i dyti viktima. Në këtë rast është shqiptari ai që u vodh nga kolegu i tij italian.

Ndodhi të enjten në Forlì përpara një dyqani me materiale ndërtimi në rrugën Copernico. Shqiptari, rezident në qytet me profesion murator kishte parkuar furgonin para dyqanit dhe kish hyrë për të blerë çimento. Ndërsa bënte radhën pa të arrinin në dyqan dy burra që nga veshja dukeshin që ishin të të njëjtit zanat. Njëri hyri brenda, tjetri po i vinte vërdallë furgonit të shqiptarit. Për një arsye të thjeshtë: në të ishte një valixhe me një çekiç pneumatik brenda, me vlerë rreth 1.300 euro.

Pasi bleu ç’kish për të blerë shqiptar imori furgonin dhe u nis por pas pak u kujtua të kontrollonte, siç e parandiente, çekiçi pneumatik ishte zhdukur. U kthye me vrap në dyqan, por dy personat për të cilët dyshonte kishin ikur. Pyeti të zotin e dyqanit që i tha adresën e kantierit të tyre dhe shkoi t’i pyeste. Natyrisht dy muratorët, kalabrezë që  punojnë në Forlì, i thanë se as që ia kishin idenë se për çfarë çekiçi fliste shqiptari por ky i fundit u telefonoi karabinierëve që të vinin e të kontrollonin. Edhe me karabinierët, dy muratorët kalabrezë mohuan gjithçka, edhe kur iu tha që do të kontrollonin gjithë kantierin. Pasi nuk lanë brimë pa kërkuar, karabinierët vunë re që në majë të vinçit ishte një kuti dhë kërkuan të kontrollonin edhe atë. Kur ulën krahun e vinçit në kuti gjetën pikërisht veglën e punës së shqiptarit. Vetëm atëherë kalabrezët rrëfyen gjithçka dhe u arrestuan për vjedhje me rrethana rënduese.