Futbollisti Blerim Xhemajli, nga viti i ardhshëm në radhët e klubit të Napolit - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Romë, 27 qershor 2011 – Do të bëhet zyrtare më 1 korrik, por ndërkohë firma është vënë në kontratën e Blerim Xhemajlit me klubin e Napolit. Lajmi, përveç se nga mediat sportive, u konfirmua edhe nga vete presidenti i Parmës, ku Xhemajli ka luajtur deri sezonin e kaluar.

I lindur në Tetovë në vitin 1986, qendërfushori me origjinë shqiptare, është rritur në Zvicër. Ka luajtur si profesionist që në moshën 17 vjeçare në skuadrën zvicerane të Cyrihut ku brenda një kohe të  shkurtër u bë një element shumë i rëndësishëm për skuadrën. Prej disa vjetësh luan në kombëtaren zvicerane, megjithëse në disa intervista pati deklaruar se do të kishte bërë çdo sakrificë të mundshme për të veshur fanellën kuq e zi të kombëtares shqiptare.

Blerim Xhemajli luan prej disa vitesh në Itali. Fillimisht tek Torino, pasi ishte marre hua nga klubi anglez Bolton, dhe më pas tek Parma. Brenda pak vitesh ai është përmirësuar shumë, mjafton të mendosh që me sa duket Napoli e ka blerë për rreth 8-9 milionë euro. Në hapjen e sezonit të shitblerjeve, ai po ndiqej me vëmendje nga disa klube të rëndësishme, por dihej që dëshira e Blerimit ishte të kalimi tek Napoli. Për të realizuar këtë ëndërr ai prishi edhe kontratën me sponsorin e tij prej shumë kohësh, Nike që e kërkonte gjithsesi të lidhur me skuadrën e Parmës. Por për të realizuar ëndrrën e tij Blerimi nuk është kursyer. Një gjë ama do t’i mungojë : fanella me numrin 10, numër që ka pasur si tek Torino ashtu dhe tek Parma. Në skuadrën e Napolit kjo bluzë nuk i jepet më asnjë lojtari që kur është larguar nga klubi Diego Armando Maradona.