Genova. Mes viktimave edhe nëna e re shqiptare me dy fëmijë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Humb jetën në Genova edhe 28-vjeçarja Shpresa Djala me dy vajzat e vogla. Rrëfimi dramatik i kunatit, para syve të të cilit ndodhi gjithçka

Romë, 4 nëntor – Nga shtatë viktimat e Genovës, për shkak të përmbytjes së sotme, janë identifikuar gjashtë vetë e ndër këta është edhe një nënë shqiptare me dy fëmijët e saj. Gruaja 28 vjeç quhet Shpresa Djala dhe ka qenë bashkë me të bijat, Gianissa një vjeçe dhe Gioia 8 vjeç, kur rryma e ujit i ka marrë përpara dhe nuk u ka lënë rrugë shpëtimi.

“Doja të hidhesha në ujë e të bëja diçka për Shpresën, por më mbajtën të tjerët”. Është ky rrëfimi dramatik i Ylli Djalës, kunatit 33 vjeç të Shpresës me të cilin ajo e vajzat e saj ishin në çastet e fundit, përpara se ujërat t’i merrnin përpara.

Jashtë morgut të spitalit San Martino, qëndron i dëshpëruar pranë afërmve e të vëllait, Flamurit, që ka humbur gruan dhe vajzat.

“Është faji im, duhet të kisha bërë diçka – thotë – ishim bashkë, në makinë. Ndaluam pranë magazinës së firmës sonë të ndërtimit. Doja të shpëtoja ca vegla. Shpresa në fillim u vu të më ndihmonte, por kur uji nisi të ngrihej u kthye të vajzat në makinë. Pas pak uji e mori me vete makinën bashkë me Shpresën e vajzat brenda”.

Sipas rrëfimit të burrit, makina u transportua nga rryma e fortë dyqind metra më tutje, më pas presioni i ujit ka thyer xhamat e makinës dhe ka nxjerrë jashtë nënën e vajzat e vogla. Përfunduan në një bodrum ku i gjetën njerëzit e Mbrojtjes Civile. Vetëm më e vogla, Gianissa, u arrit të sillej në jetë në repartin e Ndihmës së Shpejtë të spitalit Gaslini, por vdiq thuajse menjëherë.

“Jemi të dëshpëruar – ka shtuar Ylli – humbëm gjithçka”. Familja Djala jeton në Genova prej 15 vjetësh ku ka ngritur një firmë ndërtimi.  Varrimi i tre viktimave do të bëhen në Shqipëri, sapo të merret nulla osta nga Prokuroria. -