Gjenden në Rimini 15-vjeçaret e zhdukura në Cremona - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Pas dhjetë ditësh të gjata ankthi familjet e Esmeraldës dhe Tatianës mund të përqafojnë sërish vajzat e tyre. Të larguara nga shtëpia me dëshirë, vajzat bënë një xhiro në Bolonjë, Romë dhe me të mbaruar paratë që kishin me vete, po ktheheshin në shtëpi.

Romë, 30 maj 2011 - U gjetën nga Policia Hekurudhore në stacionin e Riminit dy 15 vjeçaret e zhdukura nga Cremona më 21 maj. Tatiana Goi nga Sabbioneta Mantova dhe Esmeralda Dosti, vajzë e një familjeje shqiptare me banim në Casalmaggiore, u ndaluan nga një punonjës i policisë hekurudhore i cili kishte njohur bluzën e Esmeraldës. Vajzat ishin sinjalizuar nga emisioni televiziv Chi l’ha visto, ku ishin dhënë detaje edhe mbi veshjen e adoleshenteve të cilat në vend që të hynin në mësim, atë mëngjes ishin larguar nga shkolla.

Sipas rrëfimit të tyre, vajzat kanë udhëtuar me tren e janë ndalur në Bolonjë dhe Romë, kanë fjetur në hotele duke përdorur paratë që kishin me vete. Para që mbaruan shpejt, prandaj me sa duket vajzat po përgatiteshin të ktheheshin pranë familjeve, të cilat kaluan ditë të gjata ankthi.