Gjykata e lartë jep sentencën. Ilir Meta i pafajshëm - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Sentenca: "I pandehuri Ilir Meta deklarohet i pafajshëm për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 I Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston"

Tiranë, 16 janar 2012 – Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Ardian Dvorani, ka dhënë sentencën mbi çështjen e Ilir Metës të akuzuar për korrupsion aktiv. Meta e ka pritur sentencën në selinë e LSI-së bashkë me mbështetës e militantë të kësaj partie.

Përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Spartak Braho u shpreh se, “gjykata foli, ligji vendosi. Kur flet gjykata të tërë heshtin, binden. Natyrisht komedia mbaroi, disa do qeshin disa do qajnë”.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzohej për korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën, pas publikimit të videos së përgjuar nga ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në zyrën e këtij të fundit më 1 mars të 2010.

Në pretencën e prokurorisë, dhjetë ditë më parë, Meta u shpall fajtor për korrupsion aktiv. Organi i akuzës e konsideroi të besueshme dëshminë e ish ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, sipas të cilit Meta ka favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e HEC-eve dhe ankandeve të naftës.  Sipas prokurorit, dëshmia e Priftit mbështetet nga prova të drejtpërdrejta dhe të tërthorta,  dhe nga tabulatet telefonike.

Prokuroria e cilësoi videon Meta-Prifti  autentike dhe të patjetërsueshme dhe konsideroi se ekspertiza e kryer nga 3 ekspertët shqiptarë nuk dha përfundime reale dhe nuk pati baza shkencore.

Ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar që gjykata të pezullojë çështjen. Avokatët e Metës  kanë bazuar kërkesën mbi ekspertizën e videos së Priftit, sipas të cilës ka ndërhyrje.

Vendimi i Gjykatës së Lartë:

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, për çështjen vendosi:

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shteteror ose të të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 I Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288 pika 1 shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.

2. Në bazë të nenit 190 të K.P.P. urdhërohet dorëzimi organit të prokurorisë të provave materiale vijuese: Ore mikrokamer, kabell USB, lap-top dhe USB.

3. Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3.592.938, i ngarkohen shtetit.