Gorizia. Krimi në familje i merr jetën 30-vjeçares - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Pas një sherri, Migena Këllezi është therur me thikë nga i shoqi, Dritan Sulollari, 37 vjeç, ndërsa në shtëpi ishte i pranishëm edhe i biri, vetëm 8 vjeç
 

Romë, 8 nëntor 2017 – Krimi në familje i ka marrë jetën një shqiptareje mëngjesin e sotëm në Gorizia. 30vjeçarja Migena Këllezi është vraë me thikë nga i shoqi. Edhe ky është shqiptar, quhet Dritan Sulollari me moshë 37 vjeç. 

Vrasja ka ndodhur në shtëpinë e çiftit, në rrugën Campagnola të Gradisca d’Isonzo në provincën e Gorizias. Sipas informacioneve të para të marra nga karabinierët nga mediat lokale, gruaja është goditur me thikë që përdoret në kuzhinë, pas një grindjeje që ka plasur mes bashkëshortëve. Pas ngjarjes së rëndë, ka qenë vetë i shoqi që ka thirrur karabinierët të cilëve u ka pohuar që ka vrarë të shoqen. Sulollari, që i ka pritur në shtëpi forcat e rendit pranë trupit të pajetë të të shoqes, është arrestuar menjëherë. Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe një ekip i ndihmës së shpejtë shëndetësore, por nuk ka mundur të bëjë asgjë për viktimën.

Në çastin e vrasjes duket se ka qenë në shtëpi, në një dhomë tjetër, edhe i biri i çiftit, një djalë 8-vjeçar.

Nga sa dëshmohet, çifti jetonte në Gradisca d’Isonzo prej rreth dy vjetës dhe kohët e fundit grindjet mes tyre nuk kanë qenë të rralla. Prej disa muajve burri kish mbetur pa punë dhe ishte e shoqja ajo që mbante ekonomikisht familjen.

Dritan Sulollari ndodhet në spital i rruajtur nga forcat e rendit. E kanë gjetur me disa plagë në trup për të cilat po merr mjekimet e nevojshme. Nuk është shumë e qartë nëse ka tentuar të vrasë veten pas gjëmës që bëri apo nëse ia ka shkaktuar e shoqja në përpjekje për t’u mbrojtur.