I ndërrojnë gomat makinës së tyre, duke ia vjedhur një tjetre - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Dy të rinj, njëri shqiptar e tjetri italian janë kapur nga karabinierët ndërsa i vidhnin një Audi A3 gomat për t’ia vënë veturës së tyre. Dënohen me proces të drejtpërdrejtë me 6 muaj burg e 1.500 euro gjobë

Romë 7 nëntor 2011 – Gomat e makinës janë të vjetra? Një 22-vjeçar italian dhe një 26-vjeçar shqiptar me iniciale E.N. në vend që të shkojnë e t’i ndërrojnë te një gomist kanë menduar ta zgjidhin vetë problemin. “Me gjithë ato makina të parkuara, nuk do ta gjesh një si e jotja me goma të reja?”. Kështu do të kenë menduar dy të rinjtë që me qetësinë më të madhe janë vënë në kërkim të një Audi A3 me rrotat në gjendje të mirë, në një parking të Fidenzas. E teksa ndërronin gomat e makinës së tyre me ato të rejat e tjetrës, i kanë parë karabinierët që praktikisht i kanë arrestuar në flagrancë. Akuza për dy të rinjtë: vjedhje në bashkëpunim në rrethana të rënduara.

Ngjarja është e 5 nëntorit. Dhe i të njëjtës ditë edhe dënimi me gjyq të drejtpërdrejtë: për të dy gjykatësi vendosi për 6 muaj burg dhe 1.500 euro gjobë. Duke qenë të dy pa precedentë penalë përfituar pezullimin me kusht të burgosjes dhe u lanë të lirë.