I pafajshëm shqiptari i akuzuar për rrahjen e tre policëve - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Gjykata e Savonës i ka njohur si të pafajshëm një shqiptar e një italian të akuzuar se kishin rrahur tre policë bashkiakë. Dy të akuzuarit kanë deklaruar gjithnjë të kundërtën: “drurin e hëngrëm ne!”

Romë, 5 prill 2011 – Për rrahje të tre agjentëve të policisë municipale të Savonës që po nxirrnin njerëzit nga një kantier ndërtimi të EdilVele në rrugën Milano gushtin e shkuar, kishin përfunduar në burg e ishin nxjerrë në gjyq të menjëhershëm Lavdosh Saliaj 45 vjeç, dhe Daniele Pilot 41 vjeçar nga Albenga.

Sentenca e dhënë më 25 mars u ka njohur dy të pandehurve pafajësinë nga të gjitha akuzat, pasi gjatë procesit ka dalë në dritë që dy të akuzuarit nuk kanë goditur agjentët që po i largonin nga kantieri. Përkundrazi, ashtu siç kishin pohuar që ditën e parë, duke treguar edhe shenjat e keqtrajtimeve që kishin në trup, kanë qenë dy të akuzuarit ata që në të vërtetë ishin rrahur nga agjentët e policisë. Për këtë arsye, prokuroria e Savonës ka hapur tashmë një dosje në ngarkim të tre agjentëve.

Sipas rrëfimit të forcave të rendit, policia municipale, karabinierët dhe zjarrfikësit kishin ndërhyrë për një alarm zjarri që më pas kish dalë i rremë. Gjatë kontrollit në kantier kishin zbuluar tre persona që, nën ndikimin e lëndëve narkotike, po qëndronin në një prej pallateve në ndërtim. Gjithnjë sipas rrëfimit të forcave të rendit, Saliaj dhe Pilot kanë nisur t’u sulen njerëzve të municipales dhe t’i rrahin ndërsa i treti, një moldav, nuk kishte bërë rezistencë.

Me sa duket, gjykatësi nuk e ka pranuar versionin e forcavetë forcave të rendit dhe u ka dhënë të drejtë dy të akuzuarve.