Irma Hadaj, e vrarë nga i shoqi, ka rreth 40 plagë thike në trup - Shqiptari i Italisë

Kronikë
E ka dëshmuar autopsia që i është bërë sot në mëngjes 33-vjeçares

Romë, 20 qershor 2013 – Irma Hadaj nga rrethi i Vlorës, e vrarë dy ditë më parë nga i shoqi, Lulzim, 36 vjeç, në San Giovanni al Natisone të Udines ku çifti jetonte prej vitesh me dy vajzat e tij, është qëlluar me thikë 36/37 herë. Ky është rezultati i autopsisë që i është bërë gruas mëngjesin e sotëm. Sipas mjekut ligjor, disa nga plagët kanë qenë vdekjeprurëse: si ato më të thellat që i shoqi i ka shkatuar me thikë në fyt, në zemër dhe në mushkëri.

Po sot, është konvaliduar edhe masa e arrestit ndaj të shoqit që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për vrasjen e të shoqes në rrethana rënduese.

Më 18 qershor, një grindje në familje mes burrit e gruas ka përfunduar në tragjedi. Lulzim Hadaj ka marrë një thikë në kuzhinë dhe i është vërsulur të shoqes, Irma, duke e qëlluar me gjithë fuqinë e tij. E gjithë kjo ka ndodhur përpara syve të dy vajzave të vogla të çiftit njëra 8 e tjetra 10 vjeçe. Forcat e rendit kanë gjetur gruan pa jetë në një pellg me gjak.

Vrasja në ambientin familjar e Irma Hadajt është rasti i fundit i dhunës në familje. Vetëm në qershor, kronikat e zeza në Itali flasin për të paktën tre raste të tjera grash shqiptare të keqtrajtuara nga burrat, bashkëshortë apo të njohur:

Lufton për jetë a vdekje 24-vjeçarja e rrahur egërsisht dhe e hedhur në plehra
Lecco. Keqtrajton të shoqen arrestohet 48-vjeçari
Rreh të shoqen me të bijën foshnje në krah. Arrestohet 32-vjeçari