Lorik Cana shumë shpejt me Lazion - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Një tjetër shqiptar duket se do t’i shtohet shumë shpejt klubit të futbollit të Lazios, drejtor teknik i të cilit është Igli Tare

Romë 19 maj 2011 – Kalimi ose jo i mesfushorit shqiptar Lorik Cana tek skuadra romane e Lacios duket se do të vendoset javën e ardhshme. Këtë ka deklaruar Cenk Ergun, drejtori i përgjithshëm i Gallatasarajit, në organikën e të cilit është Cana. “Kontaktet me Lazion për Lorik Canën kanë filluar. Javën e ardhshme do të vendosim për të ardhmen e tij” është shprehur ai për mediat turke.
“Javën e kaluar u zgjodh presidenti i ri i Gallatasarajit, kështu që duhet ta shtyjmë gjithçka të hënën apo të martën e ardhshme.  Do të takojmë Canën për të folur për të ardhmen e tij dhe do t’i prezantojmë të gjitha ofertat”, shtoi Ergun.

Për mesfushorin e  kombëtares shqiptare ka pasur mjaft oferta nga disa klubeve të kampionateve kryesore në Evropë, por skuadra e Lazios, ku drejtor është ish-futbollisti i kombëtares shqiptare, Igli Tare, duket më pranë Canës se gjithë të tjerat.