M. Shkurti, në luftë me tumorin dhe burokracinë italiane - Shqiptari i Italisë

Kronikë

E sëmurë rëndë me tumor, 64-vjeçarja nuk arrin të kurohet falas edhe pse mjekët janë të mendimit që nuk mund të humbasë kohë. I vetmi shans i saj është marrja e lejes së qëndrimit për kohezion familjar me të bijën që jeton këtu. Në këtë drejtim ka gjetur mbështetjen e vyer të Qendrës për të huajt

Romë, 12 dhjetor 2011 – E operuar në Shqipëri për një tumor në lëkurë, M. Shkurti, 64 vjeç, vjen në Itali të rrijë ca kohë me të vetmen bijë që ka, e që prej vitesh jeton në provincën e Pisës. Falë liberalizimit të vizave, gjithçka është e lehtë për të, dhe rreth dy muaj më parë vjen tek vajza.

Por rreth një muaj më parë sëmundja e rëndë “zgjohet”, dhimbjet bëhen të padurueshme dhe M. Shkurti përfundon në repartin e ndihmës së shpejtë të spitalit të Pisës. Mjekët i diagnostikojnë metastaza të sëmundjes dhe këshillojnë ndërhyrje kirurgjikale sa më të shpejtë. Që mund të bëhet edhe aty, por gruas i duhet të paguajë rreth 15 mijë euro. Në spital ia thonë qartë: “Keni ardhur për turizëm, nuk mund t'ju operojmë falas, pasi nuk keni të drejtën e përfitimit nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Italisë”.

E ç'mund të bëjë? Këshillojnë të bijën të kërkojë një lejeqëndrim për kura mjekësore për të ëmën, por pa i thënë që edhe një leje e tillë të lejon kurimin vetëm me pagesë.

E vërteta është që duke parë rastin në fjalë, kuestura e Pisës ia lëshon 64-vjeçares lejen e qëndrimit për kura mjekësore. Përgjigjja e spitalit është e njëjtë: “Edhe me këtë leje duhet të paguash operacionin”.

Ndërkaq, koha kalon e M. Shkurti përkeqësohet nga dita në ditë, tashmë nuk mund as të lëvizë.

Malvina Merdita nga Agjencia për të huajt – sektori i Asistencës,  e Fucecchio-s, e hapur prej dy vjetësh dhe që është pjesë e rrjetit Gruppo Europa, ka marrë për zemër rastin e M.Shkurtit e po përpiqet ta ndihmojë duke u përballur vetë  me burokracinë italiane. “Koha nuk pret. Vetë mjekët pranojnë që duhet operuar sa më parë, e nga ana tjetër nuk e operojnë. – shpjegon ajo për shqiptariiitalise.com – Tani po provojmë t'i nxjerrim gruas një leje qëndrimi për kohezion familjar me të bijën, edhe pse Kuestura e Pisës tregohet dorështrënguar me lejeqëndrime të tilla. Kjo është e vetmja mënyrë për t'i siguruar kurimin falas”.

Në fakt M. Shkurti i plotëson të gjitha kriteret për të bërë kohezionin familjar me të bijën pasi në Shqipëri nuk ka bij të tjerë ku të mund të mbështetet.

“Tashmë kemi paraqitur kërkesën në postë për leje qëndrimi për kohezion familjar – shpjegon Malvina Merdita – por kemi në xhep vetëm kuponin e paraqitjes së kërkesës, lejeqëndrimi kushedi kur mbërrin. Me kuponin shkova personalisht të regjistroj M.Kurtin në Asl, por atje më thonë që nuk mund të pranojnë kuponin por duan që të paraqesim lejen e qëndrimit”.

Në fakt, në rastin e kohezionit familjar, Asl-et nuk regjistrojnë të huajt pa pasur lejen e qëndrimit (pasi, teorikisht, edhe pse bën kërkesën, mund të mos kesh të drejtën e këtij dokumenti).

Ç’mund të bëhet? “Koha nuk pret, sa më shpejt, ndoshta që nesër, do të shkoj në kuesturë me të gjitha dokumentet në dorë e do të kërkoj lëshimin me urgjencë të lejeqëndrimit” thotë Merdita që shpjegon se edhe sot ka kaluar orë të tëra në telefon, me kuesturën dhe ASL-in për zgjidhjen e këtij problemi.

Ka pasur raste të tjera të ngjashme? Si kanë shkuar? “Në këta dy vjet Qendra ka ndihmuar shumë të huaj. Rasti i fundit ka qenë ai i një foshnje të sapolindur me leuçemi. Edhe në atë rast, i siguruam një leje qëndrimi për bashkim familjar me një të afërm që kishte këtu në Itali, duke i mundësuar kurimin pa paguar 50 mijë eurot që kërkonte struktura spitalore”.

Keti Biçoku