Mbi 31 vjet burg për dy shqiptarët që vranë Ilir Krypin - Shqiptari i Italisë

Kronikë

 

Romë 9 shkurt 2011 - 15 vjet e 4 muaj burgim për Endrit Bajra dhe 16 vjet për Hekuran Sulmataj, të dy shtetas shqiptarë 25 e 26 vjeç. Ky është dënimi për vrasjen e bashkatdhetarit të tyre Ilir Krypi. Mbrëmjen e 19 korrikut të vitit 2009, ky i fundit u vra me një plumb në fytyrë në sheshin Dinegro në Genova. Gjyqi u krye me proçedurë të shkurtuar. Avokati i shtetit, Biagio Mazzeo, pati kërkuar një dënime më të rënda: 16 për Endrit Bajrën dhe 20 vjet për Hekuran Sulmataj. Për të dy akuza ishte vrasja e vullnetshme, sekuestrim personi, skllavërim dhe shfrytëzim prostitucioni. Akuza për skllavërim, shfrytëzim prostitucioni dhe sekuestrim personi (për Sulmataj edhe përdhunim) nuk u vërtetuan, prandaj gjykatësi i ka ulur dënimet.

Ilir Krypi u vra sepse ishte munduar të çlironte një prostitutë rumune mbi të cilën Sulmataj ushtronte të drejta të veçanta. Ky i fundi, së bashku me Endrit Bajrën, sipas akuzën kanë sekuestruar të renë rumune, duke e mbajtur të mbyllur në një apartament në Certosa. Sipas akuzës atje e ka përdhunuar disa herë vetëm Hekuran Sulmataj e më pas së bashku me bashpëpunëtorin e tij e kishin detyruar të ushtronte prostitucionin.

Sekuestrimi i personit dhe përdhunimi nuk janë vërtetuar nga gjykatësi për udiencën paraprake Orsini. Mbrëmjen e krimit Ilir Krypi kishte marrë me makinë vajzën nga trotuari në Sampierdarena. Përpara një lokali në Dinegro ku kishte dashur të fliste me të renë, ai ndeshi Bajrën, Sulmatajn dhe një tjetër shqiptar, Andi Marashi, që nuk është kapur e është në kërkim. Krypi u qëllua në sy me një plumb revoleje të vogël CZ kalibër 6.35 dhe vdiq në vend.

Hetimet e policisë përfunduan brenda dhjetë ditësh me arrestimin e dy shqiptarëve, të kapur falë dëshmisë së vajzës dhe të një dëshmitari tjetër gjurmët e të cilit u zhdukën më pas. Gjykatësi për udiencën paraprake Orsini i ka dërguar aktet prokurorisë për hetime të mëtejshme lidhur me revolen dhe municionet që u gjetën në atë kohë në një apartamentin në Romë ku u kap Endrit Bajra.