Tullumbace të bardha të lëshuara në qiell. Bari i jep lamtumirën Flori Mesutit - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Më 29 gusht u qëllua për vdekje vetëm pse ndau disa adoleshentë që ziheshin. Mbrëmë Bari e ka përshëndetur për të fundit herë. Familja ka vendosur ta varrosë Shqipëri

Romë, 11 shtator 2014 – Flori Mesuti, 25-vjeçari i vrarë më 29 gusht me armë zjarri vetëm pse qortoi disa adoleshentë që ziheshin, ka bërë mbëmë udhëtimin e fundit për në Shqipëri.

Arkivoli i tij është shëtitur rrugëve të lagjes Madonnella ku jetonte me të motrën para se të imbarkohej në tragetin për Durrës.

Rrugëve të qytetit kanë dalë italianë e shqiptarë për ta përshëndetur për të fundit herë e në kujtim të tij kanë lëshuar në qiell dhjetëra tullumbace të bardha. Mes qytetarëve të shumtë, edhe përfaqësues të autoriteteve lokale, njëra prej të cilëve, Francesca Bottalico drejtoreshë e drejtorisë Welfare të Komunës, ka lënë mbrëmë një shënim në profilin e saj në Facebook: “Sot përfaqësova Komunën e Barit, bashkë me presidenten e Municipios 1, Micaela Paparella, në ceremoninë e organizuar për riatdhesimin në Shqipëri të trupit të Flori Mesutit, djali që iu mor jeta nga ajo që konsideroj ana më e keqe e këtij qyteti. Dhamë një kontribut në shpenzimet e këtij udhëtimi, e drejta e fundit e paqes së kësaj viktime të re në moshë, e si Komunë jemi paraqitur edhe palë civile në gjyqin (kundër vrasësit). Angazhohemi se gjithmonë do t’u qëndrojmë pranë viktimave, duke u treguar mbështetjen dhe praninë tonë konstante. Një mendim i veçantë shkon për motrën, nënën, babain, të fejuarën e të gjithë familjen e Florit”.

Edhe Paparella ka shkruar në profilin e saj Facebook për lamtumirën dhënë Flori Mesutit: “Bashkë me këshilltarët e Municipios 1, drejtoreshën e Welfare të Komunës Bottalico dhe miq e të afërm përshëndetëm Flori Mesutin, trupi i të cilit po çohet në Shqipëri… Nuk do të dorëzohemi kurrë, do të punojmë gjithnjë në favor të projekteve për liri, solidaritet dhe ligjshmëri”.

Për vrasjen e Mesutit, është arrestuar më 2 shtator, Francesco Caldarola, barez 22 vjeç, vëllai i 15-vjeçarit që zihej me disa të tjerë e të cilit Flori duket se i ka dhënë një shuplakë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Për vrasjen e Flori Mesutit arrestohet 22-vjeçari Francesco Caldarola
Bari. Përpiqet të ndajë disa të mitur që zihen, qëllohet për vdekje 25 vjeçari
Kryebashkiaku i Barit: “Qytetarë, reagoni e padisni vrasësit e Flori Mesutit”