Merrnin pensionin social pa pasur të drejtë. Telashe për 23 pleq të huaj - Shqiptari i Italisë

Kronikë

23 të moshuar të huaj akuzohen për mashtrim ndaj shtetit, sepse kanë marrë pension social pa plotësuar kriteret. Mes tyre edhe 4 shqiptarë

Modena, 12 korrik 2011 – Gazeta Il Resto del Carlino bën të ditur se Policia Financiare (Guardia di Finanza) e Modenës ka zbuluar 23 shtetas të huaj që merrnin pensionin social pa pasur këtë të drejtë për shkak se kishin deklaruar se jetonin në provincë gjë që ka rezultuar e pavërtetë.

Janë kryer kontrolle të imëta mbi pensionet që Inps-i jep për personat me banim në Itali, që kanë mbushur moshën 65 vjeçare e nuk kanë të ardhura të tjera. Dhjetë marokenë, katër shqiptarë, dy argjentinas, dy estonezë, një brazilian, një polak dhe një spanjoll akuzohen tani për mashtrim ndaj shtetit dhe përfitim të padrejtë nga ndihmat shtetërore. Përveç se ndërprerjes nga ana e Inps-it të pensionit, personat duhet të kthejnë edhe shumat e marra padrejtësisht.

Një nga kushtet kryesorë për të marrë këtë pension, prej janarit të vitit 2009, është edhe banimi pa ndërprerje prej të paktën dhjetë vjetësh në Itali dhe pasja e kartës së qëndrimit për jokomunitarët. Këtë vit çeku social është 417,30 euro në muaj. Por është pension që u takon vetëm rezidentëve, dhe duket se  INPS-i ka vendosur t'u presë rrugën "dinakëve" dhe të verifikojë një më një plotësimin e të gjitha kushteve, veçanërisht atë të rezidencës, që duhen përmbushur për përfitimin e çekut. E ka filluar në maj 2008 në Alba duke ndëshkuar katër vetë, dy shqiptarë e dy marokenë.