Milano. Fshihte në garazh 41 kg heroinë, arrestohet - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Marsel Bedulla, 24 vjeç, është arrestuar mëngjesin e sotëm nga karabinierët. Kishte çelësat e një garazhi që ishte kthyer në laborator për konfeksionimin e drogës

Romë, 20 shkurt 2014 - E ka tradhtuar ankthi dhe frika se po e zbulonin: në orën 6.30 të mëngjesit teksa ecte në rrugën Argelati të Milanos, kur ka parë makinën ka hedhur dy tufa çelësash që kish në dorë dhe ia ka mbathur. Kështu karabinierët kanë pikasur 24 vjeçarin Marsel Bedulla.

Kur i kanë kërkuar sqarime për sjelljen e tij, fillimisht ka thënë se ishte i pirë e nuk mbante mend ku kish parkuar, pastaj ka thënë se e kish lënë në një rrugë tjetër aty pranë por kur e kanë çuar atje dhe e kanë kërkuar pa rezultat janë kthyer mbrapsht në rrugën Argelati.

Duke përdorur telekomandën panë se kjo hapi një portë të hekurt. Karabinierët kanë hyrë në oborr e me çelësat që Bedulla kish hedhur më parë hapën edhe një garazh. Brenda tij një “thesar”: veç një veture Citroen, edhe 41 kg heroinë të ndarë në 82 pako, qeska, presë, peshore të nevojshme për ndarjen e konfeksionimin e drogës, dhe 11 celularë.

24 vjeçari Marsel Bedulla, pa precedentë penalë u arrestua ndërsa u sekuestrua gjithçka që u gjet në garazh. Nga verifikimet e para rezulton se qoftë garazhi, qoftë vetura janë të një rumuni rezident në Torino, mbi të cilin po bëhen kontrollet e rastit.

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)