Milano. I dehur vendos të flejë në makinë. E gjejnë të vdekur - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Shqiptari S.A. 30 vjeç, është gjetur i pajetë pasditen e të hënës, në një parking publik në Cinisello Balsamo. Sipas karabinierëve nuk ka shenja dhune, për të duhet të ketë qenë vdekjeprurës abuzimi me alkoolin

Romë, 16 shtator 2014 – Është gjetur dje pasdite në një parking të Cinisello Balsamos trupi i pajetë i një shqiptari 30 vjeç rezident në Milano, të cilit tani për tani i njihen vetëm inicialet S.A. Ishte i shtrirë mes në hapësirën mes ndenjëseve të para e të prapme të veturës së tij, pa bluzë veshur, por me pantallona e pandofla në këmbë e nga një kontroll i parë duket se ka vdekur disa orë para zbulimit.

Viktima jetonte në Itali prej disa viteve, me lejeqëndrim të rregullt e pa precedentë penalë. Hipotezat fillestare për vrasje janë hedhur poshtë nga rrëfimi i një 32-vjeçari shqiptar, shok e koleg i S.A., që u ka treguar karabinierëve se një natë më parë, pasi kishin mbaruar turnin si baristë në diskotekën Old Fashion të Milanos, kishin shkuar në një bar për të pirë deri në mëngjes. Sipas 32-vjeçarit, S.A. ishte aq i dehur sa kish menduar të flinte në makinë.

Pasditen e të hënës, kolegu që kish fjetur deri në atë moment në shtëpi të tij në Cinisello, është vënë në kërkim të shokut dhe e ka gjetur vërtet në makinë ku e kish lënë në mëngjes, por pa jetë. Sipas karabinierëve të Monzës që kanë mbërritur në vendngjarje, 30-vjeçari nuk ka pasur vdekje të dhunshme, për të mund të ketë qenë fatale sasia e madhe e alkoolit ose asfiksia nga i nxehti: ka mbetur i mbyllur në makinë nën diellin e fortë për gjithë ditën e i dehur siç ishte nuk ka mundur të kuptojë rrezikun që po i kanosej. Do të jetë autopsia ajo që do të sqarojë krejtësisht shkaqet e vdekjes.