Motrat e vrara nga e ëma. Autopsia: janë qëlluar me thikë nga 30 herë secila - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Të tmerrshme detajet që sot jepen nga mjekët ligjorë që kanë bërë autopsinë e motrave Dobrushi. Hetuesit, që kanë në dorë rezultatet e kanë marrë në pyetje të ëmën, flasin për “egërsi të paparë”

Romë, 4 prill 2014 – Edlira Dobrushi ka vrarë të bijat me një “egërsi të paparë”. Nga raporti i mjekëve ligjorë që kanë bërë autopsinë e vajzave del se ato kanë nga 30 plagë thike në trup. Në çastin e çmendurisë, nëna i ka qëlluar e qëlluar dhjetëra herë, pa pushim e me një egërsi të paparë. Ndërkaq gruaja është nxjerrë nga spitali, ku përfundoi pas vrasjes së vajzave dhe tentativës për të vrarë veten. Nga 1 prilli gjendet e mbyllur në burgun e Comos me akuzën e vrasjes së shumëfishtë me rrethanat rënduese të lidhjes së gjakut me viktimat. Vendosmëria dhe egërsia me të cilat ka qëlluar mbi vajzat e saj, natyrisht vetëm e rëndon akuzën ndaj saj. Hetuesit e forcat e rendit që kanë parë vendngjarjen, kanë dëgjuar përgjigjet e gruas dhe kanë në dorë rezultatet e autopsisë flasin për “egërsi të paparë” dhe për një “skenë krimi si të ishte film horrori”.

Janë këto të rejat e fundit që e bëjnë edhe më të tmerrshme tragjedinë familjare që preku familjen shqiptare Dobrushi, në të cilën në fillim të marsit nëna u kthye në xhelatin e tre vajzave të saj, Simona, 13 vjeçe, Keisi, 10, dhe Sindi,  4 vjeçe. Krimin e saj të rëndë e ka shpjeguar gjithnjë me dëshpërimin që provonte kur mendonte se të bijat do të kishin një jetë të dëshpëruar e në varfëri për shkak të ndarjes së saj nga i shoqi, babai i vajzave.

Mbi këtë temë:
Tragjedi familjare në Lecco. Nëna vret me thikë tre vajzat e saj
Qyteti në zi për tre motrat e vrara nga nëna
Bashkim Dobrushi të bijave: “Ju kërkoj ndjesë”
Me lot e dhimbje, qyteti u jep lamtumirën tri motrave Dobrushi

K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)