M.Shkurti merr lejeqëndrim për motive familjare. Tani mund të kurohet falas në Itali - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Zgjidhet problemi burokratik i 64-vjeçares shqiptare M. Shkurti që vuan nga tumori e që spitali nuk nuk mund ta kuronte falas

Romë 19 dhjetor 2011 – M. Shkurti, e ardhur tek e bija si turiste dhe që ka nevojë urgjente për t’u operuar, më në fund ka fituar betejën e saj me burokracinë italiane. Duke qenë se nuk e kuronin falas as si turiste e as me një lejeqëndrimi për kura mjekësore, gruaja ka kërkuar dhe ka marrë tashmë një lejeqëndrimi për kohezion familjar me të bijën (për të cilin i përmbushtë të gjitha kriteret) që i lejon të përfitojë nga të gjitha shërbimet e ofruara nga Shërbimi Shëndetësor Italian pa paguar asgjë.

Në betejën e saj me burokracinë italiane M. Shkurti u ndihmua nga Malvina Merdita e Agjencisë për të huajt-sektori i Asistencës,  së Fucecchio-s, që mori për zemër rastin e M.Shkurtit e që ndoqi personalisht praktikën e saj për lejen e qëndrimit për kohezion familjar. “Koha nuk pret – thoshte javën e shkuar për shqiptariiitalise.com Malvina Merdita . – Tani po provojmë t'i nxjerrim gruas një leje qëndrimi për kohezion familjar me të bijën, edhe pse Kuestura e Pisës tregohet dorështrënguar me lejeqëndrime të tilla. Kjo është e vetmja mënyrë për t'i siguruar kurimin falas”.

E me sa duket ia ka arritur, duke i dhënë mundësi 64-vjeçares Shkurti të mund të vazhdojë tani disi më e qetë betejën, edhe më të vështirë, kundër tumorit.