Narni. Rrihte të shoqen. Gjykatësi vendos largimin e tij nga shtëpia - Shqiptari i Italisë

Kronikë

E rrihte kur ishte shtatzënë e pas lindjes së vajzës. Muratori 36 vjeçar akuzohet për keqtrajtime, lëndime dhe kërcënime në rrethana rënduese dhe ndërkaq e ka të ndaluar t’i afrohet të shoqes dhe të bijës

Romë, 12 janar 2012 – Një murator shqiptar 36 vjeç, rezident në Narni (provinca e Ternit), emri i të cilit nuk bëhet i ditur, është urdhëruar jo vetëm të largohet nga shtëpia ku jetonte me partneren e tij dhe të bijën, por edhe të mos u afrohet vendeve që frekuentohen nga ato të dyja dhe familjarët e tyre. Masa administrative i është komunikuar të mërkurën nga agjentët e policisë dhe është vendosur nga gjykatësi Panariello, pas disa muajsh hetime të nisura për shkak të denoncimit për dhunë e kërcënime të bashkëjetueses së tij, 40-vjeçare italiane.

Sipas gruas, keqtrajtimet kanë nisur që në vitin 2000, kur gruaja ishte shtatzënë e është rrahur e kërcënuar për motive të dobëta, kryesisht xhelozi. Në vite gruaja i është drejtuar shpesh Ndihmës së Shpejtë, gjë që është verifikuar tashmë nga forcat e rendit që kanë mbledhur edhe dëshmitë e raportet e mjekëve. Megjithëse gruaja ishte përpjekur ta përzinte nga shtëpia, 36-vjeçari kishte vazhduar ta bezdiste e t-i nxinte jetën duke e detyruar vazhdimisht që ajo të ndryshonte mënyrën e të jetuarit, duke i shkaktuar asaj e të bijës gjendje ankthi të vazhdueshëm.

Burri është hetuar për keqtrajtime, kërcënime dhe lëndime në rrethanë rënduese dhe përkëto do të dalë para trupit gjykues.