Ndërron jetë Sabri Godo - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Tirane, 3 dhjetor 2011 - U nda nga jeta shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Ishte 82 vjeç dhe vuajti së fundi nga një sëmundje të rëndë në mushkëri

Topi: “”Sabri godo, mishërim i politikanit të moderuar”

"Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me potretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike" thuhet në mesazhin e Presidentit Bamir Topi drejtuar familjarëve të shkrimtarit të shquar dhe Presidentit të Nderit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane.

Topi thekson se "ndarja nga jeta e Sabri Godos është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen,për ish-kolegët politikanë e deputetë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër e të bashkëpunojnë me të".

Thaçi: “Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse intelektualit Sabri Godo”

Në telegramin e ngushëllimit familjes Godo, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se "me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit të mençur shqiptar, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, mikut tim, Sabri Godo”.

"Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës", thekson shefi i qeverisë kosovare.

Ai shton se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha institucionet e vendit dhe populli i Kosovës, do të jenë përherë mirënjohës për rolin e pazëvendësueshëm të politikanit dhe intelektualit Sabri Godo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Qeveria shpall zi kombëtare të dielën nga ora 12.30 deri në 14.30

Këshilli i Ministrave për të nderuar kujtimin e të ndjerit Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar, shpalli zi kombëtare, të dielën nga ora 12.30 deri në 14.30. 
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 do të mbahet një minutë heshtje.

Ndërkohë, ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e diel, nga ora 12.30 deri 14.30, në mjediset  e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas vendimit, Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit mortor zyrtar do të transmetojë muzikë funebre.
Vendimi parashikon që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

PR: “Shqipëria humbi politikanin e urtë dhe vizionar”

Partia Republikane, ka shprehur hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të kryetarit të saj të parë dhe liderit të saj , Sabri Godo. "Shqipëria humbi politikanin e urtë dhe vizionar dhe shkrimtarin e shquar, Sabri Godon i cili në çdo çastë të jetës së tij vendosi mbi çdo gjë interesin kombëtar", thuhet në mesazhin e PR.

Sabri Godo themeloi Partinë Republikane në janar të vitit 1991 dhe e drejtoi atë për 7 vite, ndërsa së fundmi mbante postin e Presidentit të nderit.

Në mesazhin e tij, kryeministri Sali Berisha vlerëson se "Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve".

"Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre", përfundon mesazhi i Kryeministrit Berisha.

"Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, Partia Republikane, themeluesin e saj”,kanë qenë fjalët e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Sabri Godo ka qenë deputet i Kuvendit në dy legjislatura; në detyrën e Kryetarit të Komisionit të Punës, Çështjeve sociale dhe Shëndetësisë gjatë vitit 1996-1997 dhe në detyrën e Kryetarit të Komisionit për politikën e Jashtme gjatë viteve 1997-2001. Godo për disa vite ishte Kryetar i Partisë Republikane, shkrimtar dhe historian i njohur", ka kujtuar Topalli.

"Ikonë e mençurisë qytetare, urtësisë politike dhe patriotizmit të vërtetë shqiptar. Do të na mungojë shumë", është shprehur Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në mesazhin e ngushëllimit familjes së Sabri Godos.

Rama: “Sabri Godo, figurë e respektuar e tranzicionit shqiptar"

"Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i PS-së, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes", thuhet në mesazhin e kryetarit socialist, Edi Rama, me të cilin ai u shprehu ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos.

"Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konsekuencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare", përfundon mesazhi.

Ndahet nga jeta Sabri Godo

U nda nga jeta shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Ishte 82 vjeç dhe vuajti së fundi nga një sëmundje të rëndë në mushkëri.

I lindur në Delvinë më 8 gusht 1929 ai e kreu shkollën fillore në vendlindje dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë, të cilën e la në mes për të marrë pjesë në Luftën Antifashiste në vitet 1943-1945.

Sabri Godos iu desh të largohej nga Shqipëria së bashku me nënën e tij, sepse përndiqej politikisht. Ka pasur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar fejtone dhe shkrime kritike me pseudonime.

Në janar të vitit 1991, me legalizimin e pluralizmit, Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet.

Aktualisht, mbante postin e kryetarit të nderit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.

Në fushën e letrave Sabri Godo do të kujtohet për disa nga veprat më të spikatura në letërsisë shqiptare, sidomos në zhanrin e romanit historik. Kështu mund të pëmenden romanet historike "Plaku i Butkës" (1966); "Ali Pashë Tepelena" (1970); "Skënderbeu" (1975); romani "Prova e zjarrit", (1977); përmbledhja me reportazhe "Kohët që shkojnë, kohët që vijnë", (1985); romani "Ujërat e qeta", (1988), etj.

Sabri Godo është angazhuar dhe në kinematografi me skenarët e filmi "Dritat e qytezës (1983) dhe "Intendenti" (1980).