Nxirret nga burgu dhe dëbohet serbi Ivan që i vuri flakën flamurit shqiptar - Shqiptari i Italisë

Kronikë

I dënuar më 8 mars, është lënë i lirë dhe është dëbuar nga Italia Ivan Bogdanov, ndër përgjegjësit e trazirave që sollën ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi më 12 tetor të vitit të kaluar

Romë, 24 maj 2011 – Ivan Bogdanov, tifozi estremist serb, protagonist në aktet e dhunës më 12 tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Marassi” të Genova, është liruar nga burgu dhe është dëbuar nga Italia.  

Gjykata e Genovës pranoi kërkesën për nxjerrjen nga burgu, dëbimin e tij nga Italia dhe riatdhesimin në Serbi të paraqitur nga avokati mbrojtës i tifozit. Bile u vendos që ai të shoqërohet në atdhe për të evituar probleme të mëtejshme. Ivan Bogdanoc qe dënuar më 3 vjet e 3 muaj burgim për  qëndresë të egër ndaj zyrtarëve të shtetit, për dëmtime të rënda, si dhe për shkeljet e parashikuara nga rregullorja e dhjetorit të vitit 1989 mbi sjelljen e qëndrimin në stadium.

Ivan Bogdanov u konsiderua organizatori i trazirave të shkaktuara nga një grup tifozësh serbë si përpara fillimit të ndeshjes nëpër rrugët e Genovas, ashtu edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Aq sa arbitri vendosi të ndëpresë takimin sepse nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për lojtarët dhe spektatorët e stadiumit. Mes flamujve dhe simboleve të nacionalizmit serb spikati një banderolë ku lexohej: "Kosova është zemra e Serbisë". Sportdashësit shqiptarë e kujtojnë pa dyshim huliganin serb për faktin që gjatë ndeshjes ai dogji edhe flamurin shqiptar.

Lexo edhe: Arrestohet serbi që i vuri flakën flamurit shqiptar