Operacioni në Lazarat. Sekuestrohen mbi 46 tonë kanabis dhe arsenal armësh - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Forcat e policisë vazhdojnë operacionin në fshatin Lazarat për kontrollin e territorit dhe ambienteve, me qëllim gjetjen e asgjësimin e lëndëve narkotike, sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme dhe të armëve, kryerjen e veprimeve procedurale dhe hetimore, si dhe vënien para drejtësisë të trafikantëve dhe atyre që drejtuan armët kundër forcave të rendit.
Rama: “Fundin e Gates së Lazaratit do të bëjnë edhe gjyqtarët e lidhur me krimin, “Gatet” e gjyqësorit”

Tiranë, 23 Qershor 2014 – Dita e tetë nga nisja e aksionit policor në Lazarat e strukturat e Policisë deklarojnë se kanë asgjësuar 133.419 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie 46 tonë e 150.565 kg kanabis, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. Të arrestuarit deri më sot janë 22. Akuzohen për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për prodhim e shitje të narkotikëve, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.

Forcat e policisë theksojnë se janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës së fshatit, janë sekuestruar dhe 1,3 kg lëndë narkotike çokollatë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa.

Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

Gjatë javës janë sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme armësh e municionesh: 236 armë zjarri automatike e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 15 mitrolozë, 3 antitank, 1 murtajë dhe 4 granatëhedhës, 2 armë të vjetra, si dhe 12 armë gjahu. Veç këtyre, janë gjetur e sekuestruar edhe armë të djegura, 1 snajper, 6 mitrolozë, 1 granatëhedhës, 22 automatikë dhe 2 pushkë. Janë sekuestruar gjithashtu 100.993 fishekë të llojeve të ndryshme, 237 kallëpë tritol, 147 granata dhe një arkë me granata, 44 predha granatëhedhësi, 250 ndezësa elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 106.3 m fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi tjetër fitil zjarrpërcjellës, 153 krëhëra fishekësh.

Janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 23 automjete të tjera. Janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 furgonë dhe 1 veturë) me kanabis. Janë sekuestruar 30 targa automjetesh. Janë sekuestruar 8 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabisi, 2 pajisje për vakum ajri.

Është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 1 kasafortë. Janë sekuestruar dokumente identitetesh të ndryshme, uniforma policie, 1 maskë, 1 jelek multifunksional policie, 1 dylbi termike, si dhe një sasi e madhe gëzhojash. Në një kazino në qendër Lazarat janë gjetur e sekuestruar dhe, 19 makineta lojra fati, 1 rulet lojëra fati, 2 tavolina-fusha lojra fati, 2 kasaforta, 9 bateri për makinetat e lojrave të fatit. Gjithashtu është ushtruar kontroll në territoret e mbi 581 banesave dhe ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e Komunës.

Rama: Përballje frontale me çdo element të kriminalizuar të gjyqësorit

Ndërsa koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” shënon sot një vit pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, kryeministri Rama deklaroi sot se “brenda dhe jashtë vendit ka jehuar fort fitorja e shumëpritur por e pashpresuar nga shumëkush, fitorja e shtetit me krimin në Lazarat”.

Ai deklaroi gjithashtu edhe vendosmërinë e qeverisë për “përballje frontale” me çdo element të kriminalizuar të gjyqësorit, duke i krahasuar ata me trafikantin Gate Mahmutaj, të kapur në Lazarat.

“Sot, gjyqtarët që kryejnë krime, duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe në tragjeditë njerëzore që shkaktojnë rrugëve “Gatet” e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin të qartë mesazhin se ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta, deri sa kush nuk do të ndahet nga “Gatet”, të shkojë të rri me “Gaten”, tek vendi i “Gateve”, pa mundur të bëjë dot më dëm për njerëzit e pafajshëm, në këtë vend, që s’është vendi i “Gateve”, por është vendi i qytetarëve të vet të zakonshëm dhe i familjeve të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi” është shprehur ashpër Rama ndaj gjyqësorit.