Paderno Dugnano. Humbën jetën 4 punonjës, arrestohet punëdhënësi - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Arrestohet titullari i firmës Eureco, shoqërisë së shkatërrimit të mbetjeve, për aksidentin në punë të 4 nëntorit 2010, për shkak të të cilit humbën jetën katër punonjës e morën djegie të rënda tre të tjerë. Pesë prej të cilëve shqiptarë

Romë 29 nëntor 2011 – “I paskrupullt, i dedikuar ekskluzivisht e me çdo kusht shtimit të përfitimeve, duke abuzuar me pozitën e tij prej sipërmarrësi e punëdhënësi”. Kështu e përshkruan Giuseppe Vanore, gjykatësi për hetimet paraprake i Milanos, Giovanni Merlinon, 60 vjeç, titullar të Eureco-s, shoqërisë së shkatërrimit të mbetjeve në Paderno Dugnano të Milanos, ku më 4 nëntor 2010, një shpërthim i fortë dogji për së gjalli shtatë punonjës, nga të cilët katër ndërruan jetë. Njëri pas tjetrit humbën jetën Leonard Shehu, 37 vjeç, Harun Zeqiri, 44 vjeç , Salvatore Catalano, 55 vjeç, dhe Sergio Scapolan, 63 anni, dhe plagosjen e tre të tjerëve: Kasem Xhani 21 vjeç, Ferit Meshi 30 vjeç, dhe Erjon Nezha 29 vjeç.

Mbi Merlinon rëndojnë akuzat e vrasjes pa dashje të shumëfishtë dhe të shkeljes së normave mbi sigurinë në punë. Sot ai është arrestuar sepse, sipas gjykatësit, ekziston mundësia e përsëritjes së të njëjtave vepra penale pasi ai është titullar i disa ndërmarrjeve të tjera të ngjashme me Eurecon.

Sipas gjykatësit Vanore, “për shkak të historive të mëparshme që kishin të bënin me veprimtarinë e tij si sipërmarrës”, Merlino ishte i vetëdijshëm për ekzistencën e rrezikut të shpërthimit të zjarrit të përcaktuar nga mënyra e organizimit të punës në stabilimentin Eureco. “Edhe në të shkuarën – vëren gjykatësi – në Eureco kish pasur shpërthime zjarri të përmasave të vogla”, siç dëshmojnë disa vartës të tij. Por edhe me këto precedentë, Merlino “nuk mori asnjë masë  për procesin e trajtimit të mbetjeve, madje, pas 5 gushtit, edhe pse impianti i kapjes dhe pastrimit të gazrave nuk funksionoi më, pikërisht për shkak të një zjarri, Eureco vazhdonte të trajtonte mbetjet e rrezikshme bashkë me të tjerat”.