Për vdekjen në punë të Albert Kolgjegjës dënohet përgjegjësi i kantierit - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Pas 8 vjetëve nga vdekja në punë e 30-vjeçarit Albert Kolgjegja dënohet në Kasacion me tetëmbëdhjetë muaj heqje lirie, projektuesi dhe drejtuesi i punimeve, Andrea Pepe

Romë 28 qershor 2011 – “Rast pakujdesie dhe neglizhence në kryerjen e detyrës profesionale”, me këto fjalë Gjykata e Kasacionit shprehet ndaj Andrea Pepe-s, drejtuesi i punimeve në kantierin e Muzeut të Detit ë Genova. Andrea Pepe ishte edhe projektues dhe përgjegjës për projektimin ekzekutiv të veprës. Ai është i akuzuar për vrasje të rastësishme dhe për dëmtime personale pas aksidentit që më 8 nëntor të vitit 2003 i mori jetën punëtorit shqiptar Albert Kolgjegja, në atë kohë 30 vjeçar. Ky rast, një ndër aksidentet e përditshme në vendin e punës, bëri përshtypje menjëherë sepse i riu mbeti i “varrosur” nën disa ton rrënoja, që ranë nga një soletë e cila me sa duket nuk ishte e llogaritur siç duhet.

Projektuesi u mundua më kot të bindë gjykatësit se rënia e soletës nuk kishte ndodhur për faj të tij, por sepse ishte ndërtuar keq. Por gjykatësit e Seksionit të Parë Penal, me vendimin e tyre numër 25614, konfirmuan vendimin e dhënë më 13 janar 2010 nga Gjykata e Apelit e Genovës. Gjykatësit e Kasacionit kujtojnë se gjatë gjithë procesit gjyqësor “i akuzuari nuk ka paraqitur asnjë relacion mbi llogaritjet”, gjë e domosdoshme sepse dokumentet e paraqitura në shkallët e tjera të gjykimit kanë të bëjnë me ndërtimin e katit ku ndodhet restoranti dhe jo të pikës ku ka rënë soleta. Kasacioni thekson se struktura ka rënë kur kishte filluar "zgjidhja” e soletës, me urdhër të drejtuesit teknik Andrea Pepe, i cili me sa duket nuk ka verifikuar nëse ajo mbante apo jo.

Tani u vendos që projektuesi dhe drejtuesi i punimeve, të dënohet me tetëmbëdhjetë muaj heqje lirie. Ai duhet të paguajë edhe një dëmshpërblim si për viktimën ashtu edhe për të plagosurit Zaim Kaci, Skënder Ndoja dhe Nicolò Flagello.

Lexo edhe: Pesë tonë beton mbi një ëndërr

Përvjetori i vdekjes së Kolgjegjës shpallet ‘Dita e punëtorit shqiptar në Itali’