Përpiqet të arratiset, plagoset nga policia e burgjeve - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Ndërsa po e transferonin, një i burgosur shqiptar përpiqet të arratiset por agjentët e qëllojnë dhe e plagosin

Romë, 7 prill 2011 - Një i burgosur shqiptar që po transferohej, ka përfituar nga një ndalesë e automjetit të blinduar në një pikë furnizimi në autostradën A12 dhe ia ka dhënë vrapit. Agjentët e burgjeve që po e shoqëronin e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar me armë, ndërsa kishte kaluar në krahun tjetër të autostradës. Kështu, të plagosur  kanë mundur ta kapin. Gjithçka ka ndodhur përpara syve të tmerruar të personave që në atë çast ndodheshin në pikën e  karburantit.

Ngjarja ka ndodhur dje paradite në A12 pranë pikës së karburantit të Sestro Levante-s. Agjencia e lajmeve Ansa bën të ditur se përveç të burgosurit, gjatë ndjekjes është lënduar edhe një nga agjentët. Dy të plagosurit, në gjendje jo të rëndë janë çuar në spitalin San Martino të Genovas.