Plagoset aksidentalisht me armë zjarri një adoleshent shqiptar - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Romë, 4 maj 2011 – Është në gjendje të rëndë 13-vjeçari shqiptar i goditur aksidentalisht me një plumb revoleje në qytetin e La Spezias. Me sa dihet deri tani, djali ndodhej në shtëpinë e fqinjës, Barbara Giovacchini, ish-roje private e cila po bëhej gati të pastronte armën. Ai ndodhej në shtëpinë e fqinjës për të përdorur kompjuterin dhe me sa duket ajo ka dashur ta qerasë, duke pasur në dorën tjetër revolen e mbushur. Forcat e rendit bëjnë të ditur se plumbi ka bërë një trajektore nga lart poshtë, gjë që forcon hipotezën se djali është goditur aksidentalisht kur ka qenë i ulur në kompjuter.

Djali është transferuar urgjentisht në spitalin Sant'Andrea për një ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja e tij është e rëndë por mjekët sigurojnë që nuk rrezikon jetën.

Djali jeton në qendër të La Spezias me prindërit e dy vëllezër më të mëdhenj prej vitit 1998.

“Kush ka gabuar të paguajë” duket se ka reaguar një nga vëllezërrit e 13-vjeçarit, ndërsa i ati, më i kujdesshëm, kujton që në Shqipëri “ka punuar për 20 vjet në ushtri dhe rregulli numër një në përdorimin e armëve është i i pastrimit duke respektuar të gjitha kriteret e sigurisë, pikërisht që të mos ndodhin fatkeqësi. Nuk më ka ndodhur asnjëherë gjatë gjithë karrierës sime ushtarake... dhe ja tani ndodhi me tim bir”.