Prato. Detyronte vajzën 15-vjeçare të prostituohej, arrestohet e ëma - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Bashkë me vajzën tjetër (29-vjeçare) e një bashkëkombës (33 vjeç), detyronte të bijën e mitur të prostituohej. Arrestohet nëna shqiptare, bashkë me dy të tjerët

Romë, 15 dhjetor 2011 – Agjencitë e lajmeve italiane sjellin sot një rast të ulët kronike që ka për protagonistë (viktima dhe shfrytëzuesit) shqiptarë. Një prostitutë shqiptare 47 vjeçare detyronte të bijën 15 vjeçe të prostituohej, me ndihmën e të bijës tjetër 29 vjeçare, edhe kjo prostitutë, dhe të një miku shqiptar 33 vjeç. Që të tre këta janë arrestuar nga agjentët e policisë së Pratos me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit të të miturve.

Në shtator, policia kishte ndaluar rastësisht 15 vjeçaren dhe kjo u kishte rrëfyer se ishte në Itali prej pak ditësh dhe se e kishin detyruar të dilte në rrugë e ëma dhe e motra, edhe ato prostituta. Pas përgjimesh telefonike dhe ambientale, hetuesit kanë verifikuar vërtetësinë e fjalëve të vajzës dhe në tetor kanë arrestuar tre personat për shfrytëzimit të prostitucion të të miturve.

Lajmi është bërë i ditur sot nga Kuestura e Pratos.