Prato. Dy kinezë martohen, gjithë fqinjët tërbohen - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Festojnë zhurmshëm prej disa ditësh, fqinja shqiptare nuk ia del dot më e thërret policinë

Romë, 3 nëntor 2011 – “Dy martohen e 100 gëzohen”. E themi shpesh. Por kur dasma zgjat për ditë me radhë e nuk je ndër dasmorë? Kur të qëllon të jetosh një kat nën dasmorët e zhurmshëm e të duhet të durosh ditë e natë, e të mos gjesh rehati as në shtëpinë tënde? Atëherë thërret policinë.

Është pikërisht ajo që ka bërë një 27-vjeçare shqiptare në Prato e bezdisur nga dasma disaditore e fqinjëve kinezë në katin sipër të sajit.

Ka ndodhur në rrugën Campaccio të Pratos, të martën pasdite. Policët e thirrur nga shqiptarja e kuptojnë menjëherë që në pallat po bëhej një festë vërtet e zhurmshme, dhe kur ajo u shpjegon që kjo situatë vazhdonte prej disa ditësh, vendosin menjëherë të trokasin në derë të dasmorëve. Pronari i shtëpisë, një kinez 41vjeç, u shpjegon agjentëve se nuk po bënte asgjë të keqe, thjesht po festonte sipas traditës kineze një prej vajzave të tij. Por këmbënguljes së agjentëve që të mos bëjnë më zhurmë kinezi i përgjigjet duke thënë se nuk e kupton ndërhyrjen e tyre dhe duke i fyre. Duke marrë kështu një padi për fyerje të zyrtarëve të shtetit.