Prokuroria kërkon dy vjet burg për Ilir Metën. Vendimi më 16 janar - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Avokatët e Metës kërkojnë pezullimin e çështjes. Sipas ekspertizës së tyre, videoja e Priftit, prova themelore e këtij procesi është e manipuluar

Tiranë, 6 janar 2012 - Prokuroria ka dhënë pretencën për Ilir Metën. Prokurori Bujar Sheshi  ka kërkuar për ish zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim është kërkuar dy vite burg. Përveç dënimit me heqje lirie, prokuroria ka kërkuar dhe një gjobitje me vlerë 1 milion lekë, dhe shlyerjen e shpenzimeve procedurale.

Në pretencën e prokurorisë, Meta shpallet fajtor për korrupsion aktiv. Organi i akuzës e konsideron të besueshme dëshminë e ish ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, sipas të cilit Meta ka favorizuar kompani të caktuara për ndërtimin e HEC-eve dhe ankandeve të naftës.  Sipas prokurorit, dëshmia e Priftit mbështetet nga prova të drejtpërdrejta dhe të tërthorta,  dhe nga tabulatet telefonike. Ndërsa dëshmia e biznesmenit Bekim Halilaj nuk është cilësuar e besueshme pasi sipas prokurorëve, Meta ka ndërhyrë për favorizimin e tij. Prokuroria ka bërë të ditur se nga tablatet telefonike del se Meta ka kryer me Halilajn 192 biseda telefonike ndërsa ky i fundit me Priftin 13 të tilla.

Bekim Halilaj, është president i kompanisë “Halilaj Group”. Dhe në videon Meta-Prifti, zhvillohet një bisedë lidhur me një tender që Halilaj synonte të merrte në Albpetrol, e për të cilën Meta jep porosi që të anulohet tenderi i parë.

Prokuroria e cilësoi videon Meta-Prifti  autentike dhe të patjetërsueshme dhe konsideron se ekspertiza e kryer nga 3 ekspertët shqiptarë nuk dha përfundime reale dhe nuk pati baza shkencore.

Ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar që gjykata të pezullojë çështjen. Avokatët e Metës  kanë bazuar kërkesën mbi ekspertizën e videos së Priftit, sipas të cilës ka ndërhyrje.

Tashmë do të jetë trupi gjykues ai që do të japë një vendim që pritet të jepet më 16 janar, ora 13:00.

Kjo çështje u hap pas denoncimit të Dritan Priftit me anë të publikimit të një videoje në Top-Channel.