Rekord në Verona. I tërheqin patentën që kish marrë vetëm para pesë orëve - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Një 32-vjeçari shqiptar i tërheqin pasdite patentën që kish marrë në mëngjes

Romë, 25 shkurt 2014 – Nëse lajmi që jep ANSA është i saktë, shqiptari protagonist mund të hyjë në librin e rekordeve Guinness. Sipas agjencisë italiane të lajmeve, karabinierët e Veronës i kanë tërhequr të hënën pasdite një shqiptari 32 vjeç patentën që kish marrë vetëm pesë orë më parë. I ndaluar për një kontroll të zakonshëm, 32-vjeçari u ka treguar të gjitha dokumentet: patentën, librezën e qarkullimit, sigurimin e automjetit. Por gjynah që makina që po ngiste ka fuqinë mbi 55 kw/ton, gjë që nuk i lejohet sipas kodit rrugor.

Në fakt sipas shtrëngesave të kodit rrugor për të sapopatentuarit, të sjella në fuqi më 10 shkurt 2011, parashikohet mes të tjerash edhe që “gjatë vitit të parë nga marrja e patentës nuk lejohet të drejtohet një automjet që raportin mes fuqisë dhe peshës  e ka mbi 55 kw/ton”.

Për rrjedhojë, shqiptarit i kanë tërhequr patentën që ka mundur ta gëzojë vetëm për pak orë.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe:
Sa vlen patenta e sapomarrë?
DRIVE IN ITALY, siguria rrugore në 12 hapa