Riatdhesohen 9 azilkërkuesit e parë të kthyer nga Belgjika - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Do t’u nënshtrohen sanksioneve administrative, një ndër të cilat është edhe heqja e të drejtës për të hyrë në hapësirën Shengen për një periudhë deri në 5 vjet

Tiranë, 28 tetor 2011 - Kanë mbërritur sot në Aeroportin "Nënë Tereza", 9 azilkërkuesit e parë të rikthyer nga Belgjika në vendin tonë, pas refuzimit të kërkesës për azil që ata kanë paraqitur pranë autoriteteve belge.      

Nëpërmjet një deklarate, Policia e Shtetit bën të ditur se në bashkëpunim të ngushtë edhe me agjencinë e zbatimit të ligjit në Belgjikë, do të hetojnë çdo rast, për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata persona që kanë abuzuar dhe shpërdoruar detyrën, duke mashtruar shtetasit shqiptarë me dokumente dhe vërtetime fiktive për përfitimin e azilit në Belgjikë.

Aktualisht, nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, ndaj personave të kthyer nga Belgjika janë duke u kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale, po sekuestrohet dokumentacioni i tyre, si dhe po merren deklarimet përkatëse.

Për personat e kthyer që rezultojnë të jenë nga Qarku i Shkodrës, materialet do t’i përcillen Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër, në vijim të materialeve të referuara më parë në ngarkim të dy të zgjedhurve vendorë. 

Ndërkohë për personat e kthyer nga qarku i Kukësit materialet do t’i përcillen Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kukës dhe Tropojë, në ngarkim të personave që kanë lëshuar dokumente false, me qëllim që këta shtetas të përfitonin azil. 

Në një prononcim për mediat, lidhur me riatdhesimin e këtyre shtetasve, Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit,Gëzim Prebibaj, tha se "sot kthehen 9 shtetas, ndërkohë që vazhdon procesi për rikthimin e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar. Në bazë të rregullave që disponon Komuniteti Europian do t’i nënshtrohen edhe sanksioneve, një ndër të cilët është edhe heqja e të drejtës për të hyrë në hapësirën Shengen për një periudhë deri në 5 vjet".

I pyetur nëse këta shtetas do të merren në pyetje në lidhje me procesin hetimor të nisur mbi sigurimin e vërtetimeve për kërkesën për azil, Prebibaj tha se "përveç strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit, janë të angazhuara edhe strukturat Kundër Krimit Financiar të cilat do të hetojnë mbi këtë çështje".