Rimini. 7 plumba në kraharor i marrin jetën 26-vjeçarit Zyberi - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Vrasja ka ndodhur në parkingun e një supermerkate në Misano Adriatico të Riminit paraditen e të hënës në prani të të shoqes dhe fëmijëve të tij të vegjël dhe disa klientëve të tjerë

Romë, 18 mars 2014 – 7 plumba të një pistolete të kalibrit 7,65 i kanë marrë jetën Nimet Zyberit përpara syve të të shoqes dhe fëmijëve të vegjël në parkingun e supermerkatës Conad të Misano Adriatico të Riminit  paraditen e të hënës. Burime jo zyrtare thonë se Karabinierët kanë një pistë që shumë shpejt mund t'i çojë në arrestimin e vrasësit, por ky version as konfirmohet as mohohet nga forcat e rendit.

Zyberi ishte 26 vjeç, i martuar prej disa vjetësh me një 24-vjeçare italiane. Çifti kishte dy fëmijë të vegjël, një vjeç e gjysmë njëri, gjashtëmuajsh tjetri.

Sipas grupit të hetimeve të karabinierëve të Riminit që po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes, deri tani mësohet se Zyberi sapo kishte bërë pazarin dhe ndërsa e shoqja kish rregulluar fëmijët në makinë e kish hipur edhe vetë, 26-vjeçari kishte sistemuar qeset në makinë e kish shkuar të kthente karrelin. Ndërsa kthehej në drejtim të makinës së tij, i është vënë në krah një person që e ka qëlluar 7 herë me pistoletë në kraharor.

Nga dëshmitë e mbledhura nga karabinierët, vrasësi ka qenë në këmbë, por ndoshta ka pasur edhe dikë (disa prej dëshmitarëve flasin për një grua) që e ka ndihmuar duke ndenjur në një makinë që vrasësi ka përdorur për t’u larguar nga vendngjarja.

Disa dëshmitarë pohojnë se e kanë parë vrasësin. Ata flasin për një të ri që ka pasur kapuç në kokë dhe që pasi ka qëlluar Zyberin, ka hipur në makinë, që me qetësi është nisur dhe ka dalë nga parkingu. Dëshmitë mbi makinën e vrasësit dhe numrin e personave që ishin në të, nuk përputhen me njëra tjetrën, gjë që nuk ndihmon shumë në kapjen e autorit të krimit.

Pasditen e djeshme karabinierët kanë kontrolluar edhe filmimet e video-mbikëqyrjes së supermerkatës, në të cilat shihet se Zyberi ndalon e flet me dikë, por është vështirë të pohohet se është pikërisht vrasësi.

Edhe pse vrasja e Zyberit duket si larje hesapesh, forcat e rendit akoma nuk dinë të thonë për çfarë mund të jetë fjalë,fakt është që26-vjeçari nuk ka pasur probleme me ligjin. E vetmja gjë që bie në sy është se kohët e fundit familja ka ndërruar shpesh shtëpi, ndoshta për shkak të një situate të vështirë ekonomike  të shkaktuar nga fakti se burri ishte pa punë dhe të vetmet të ardhura ishin ato të gruas, parrukiere në Riccione.

 

Shqiptari i Italisë