Rreh e përpiqet ta hedhë nga dritarja partneren shtatzënë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Arrestohet në Romë një shqiptar për tentativë vrasjeje. Gruaja shtrohet në spital

Romë, 25 dhjetor 2011 – Një 36 vjeçar shqiptar është arrestuar në Romë në një hotel pranë Terminit sepse, sipas agjencisë së lajmeve Ansa, ka rrahur rëndë partneren e tij në muajin e katërt të shtatzënisë dhe është përpjekur ta hedhë nga dritarja e katit të tretë.

Ka ndodhur në rrugën Marsala të Romës, në afërsi të stacionit të trenit Termini, gjatë natës së Krishtlindjeve. Çifti kishte marrë një dhomë dhe rreth orës 1 të natës ka nisur të zihet për shkaqe që ende nuk dihen. Grindja ka degjeneruar shpejt: në nerva e sipër, 36 vjeçari ka rrahur keqas gruan 33 vjeçare, shqiptare edhe ajo, e ka detyruar të hipë në një karrige përpara dritares me qëllim që ta hidhte poshtë. Kalimtarët dhe pronarët e hotelit kanë thirrur menjëherë karabinierët që kanë ndërhyrë në kohë duke ndaluar burrin e duke shpëtuar kështu gruan.

36-vjeçari është arrestuar për tentativë vrasjeje, ndërsa gruaja është shtruar menjëherë në spitalin Umberto I të Romës me plagë në kokë dhe në krahë, por nuk rrezikon jetën.