Sekuestrohen në Bari 760 kg marijuanë dhe arrestohet një shqiptar - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Vetëm gjatë ditëve të dhjetorit janë sekuestruar rreth një tonelatë e gjysmë marijuanë e arrestuar për trafik droge disa shqiptarë. Rasti më i fundit, i regjistruar sot, kur në Bari janë zbuluar 760 kg marijuanë në një kamion që vinte nga Shqipëria

Romë, 15 dhjetor 2011 – Forcat e Guardia di Finanza të Barit, në bashkëpunim me zyrën e doganave kanë zbuluar dhe sekuestruar 760 kg marijuanë të transportuar me një kamion, që sapo mbërriti nga Shqipëria me anijen “samsun”.

Gjatë kontrollit, financierët janë vënë në dyshim kur kanë parë shpërndarjen e çuditshme të ngarkesës në brendësi të kamionit, ndaj edhe kanë kryer një kontroll me imtësi, të ndihmuar edhe nga një njësi qensh. Kështu kanë arritur të zbulojnë që mes kabinës së shoferit dhe rimorkios ishte lënë një hapësirë në të cilën ishin fshehur 685 pako me marijuanë me pëshë prej 760 kilogramësh, që e hedhur në treg do të jepte mbi 8 milionë euro.

Shoferi i kamionit, shqiptar 39 vjeç, me qëndrim të rregullt në Itali është arrestuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të substancave narkotike dhe për kontrabandë doganore.

Dhe vetëm këto ditë dhjetori janë regjistruar disa arrestime shqiptarësh me po këtë akuzë.

Vetëm një javë më parë, forcat e Guardia di Finanza të Barit në bashkëpunim me policinë lokale dhe zyrën e doganave kanë zbuluar plot 217 kg marijuanë të fshehur në një kamion me targa  shqiptare që sapo zbriti nga një traget që vinte nga Greqia.

Sasia e madhe e marijuanës ishte fshehur në ndarje me dërrasë të krijuar në brendësi të kamionit, pas një sasie objektesh në rezinë, që përbënte “mburojën” e mallit me vlerë. Por falë një radiografie të kujdesshme bërë makinës me aparatura tip skaner të lëvizshëm, u zbulua sasia e madhe e marijuanës, që sipas financierëve po të hidhej në treg, do të jepte fitime për një milion e gjysmë euro. U arrestuan menjëherë dy shoferët e kamionit, që të dy shqiptarë 22-vjeçarë, që u mbylllën në burgun e Barit me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Po ato ditë, policia e Perugias ka sekuestruar 165 kg marijuanë pas një operacioni të zhvilluar mes Umbrias dhe Venetos, dhe ka arrestuar dy persona rreth të 30-tave: një shqiptar rezident në Santa Maria degli Angeli dhe një italian nga Pistoia. Dy të rinjtë janë kapur pasi kanë transportuar me furgonin e italianit 28 kg marijuanë në një garazh në Bastia Umbra. Pas verifikimeve të ndryshme dhe duke kontrolluar trajektoren e rrugës sëë furgonit, forcat e rendit kanë arritur të zbulojnë edhe pjesën tjetër të drogës në San Donà di Piave. Në një kapanon të madh industrial, janë gjetur edhe 137 kg të tjerë marijuanë.

Dhjetë ditë më parë, u sekuestruan në portin dhe aeroportin e Sardenjës tre kilogramë heroinë dhe përfunduan në pranga tetë persona, shtate prej të cilëve shqiptarë.

Pak ditë më parë, akoma, në provincën e Barit, një operacion çoi në kapjen në flagrancë të 4 trafikantëve shqiptarë teksa fshihnin marijuhanën në gomat e një kamioni. Në atë rast u sekuestruan 310 kilogramë marijuanë dhe dy pushkë.