Sekuestrohen rreth 4 tonë marihuanë, arrestohen 3 persona - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Pas një ndjekjeje në det është bllokuar një jaht me flamur amerikan

Tiranë, 6 shtator 2017 – Në Vieste të provincës së Foggias, Guardia di Finanza ka sekuestruar 3 tonë e 992 kg marihuanë pas një operacioni ndërkombëtar antitrafik droge në të cilin morën pjesë Policia shqiptare, ajo italiane dhe GdF.

Lajmin e dha Policia e Shtetit që njoftoi sot se, në orët e para të mëngjesit nga ana e GdF italiane u bë i mundur ndalimi dhe sekuestrimi i një jahti me flamur të Shteteve të Bashkuara.

Bllokimi i mjetit lundrues u bë i mundur falë ndjekjes në det e nga ajri.

Ekuipazhi i mjetit lundrues përbëhej nga tre shqiptarë me inicialet F.M., E.V. dhe E.M. që u arrestuan. 

Mjeti lundrues u kap në ujërat territoriale italiane në zonën e Viestes në provincën e Foggias. Hetimet paraprake tregojnë se ky mjet lundrues nuk ka shkelur ujëra shqiptare.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po bashkëpunon ngushtë me forcat italiane si dhe po shkëmben informacione intensivisht me Policinë malazeze për zbardhjen e këtij trafiku.

Pala italiane, që ende nuk ka dhënë detaje mbi këtë operacion të fundit, ka paralajmëruar një konferencë për shtyp për nesër në mëngjes.