Sekuestruan sipërmarrësin shqiptar, dënohen dy vetë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Për sekuestrimin e Pëllumb Malajt në shtator të vitit 2009 janë dënuar 2 vetë, Egert Kanaj dhe Leonardo D’Alaimo

Romë, 22 qershor 2011 – Dy dënime e një njohje pafajësie. Kështu përfundoi mbrëmë procesi penal për pengmarrjen në Ravenna në shtator të vitit 2009 të Pëllumb Malajt, sipërmarrësi 50 vjeçar që jeton me familjen në periferinë e Parisit.

Dënimi më i lartë, shtatë vjet e dhjetë muaj heqje lirie, dhe gjobë prej 40 mijë eurosh, iu dha Leonardo D’Alaimos 47 vjeç nga Stigliano të Materës, për të cilin prokuroria kishte kërkuar 15 vjet burg. Ndërsa Egert Kanajt, barist shqiptar 31 vjeç me banim në Ravenna, i janë dhënë katër vjet (për të prokuroria kishte kërkuar nëntë vjet burg). I pandehuri i tretë Antonio Campo 43 vjeç nga Misterbianco e Catanias, ka dalë i pafajshëm.

Sipas hetuesve, sipërmarrësi shqiptar ishte sekuestruar në darkën 10 shtatorit 2009 me qëllim që t'i zhvateshin para. Me të kuptuar se ç’po i ndodhte, ka arritur  t’i telefonojë familjes në Paris e që andej i është dhënë alarmi kuesturës së Ravennas. Sipërmarrësi u gjet në një barakë në periferi të qytetit, ku prej rreth një viti jetonte D’Alaimo, dhe u lirua falë një ndërhyrjeje të policisë së Ravennas. Agjentëve të policisë, sipërmarrësi u tha të se e kishin rrahur dhe kërcënuar me vdekje me një pistoletë. Sipas mbrojtjes të të akuzuarve, e gjitha lindi nga një shumë parash (99 mijë euro) që baristi i kishte besuar sipërmarrësit por që ky ia kishte humbur në bixhoz.