Serbi: Arrestohet Mladic, xhelati i Srebrenicës - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Arrestohet ish gjenerali serb i akuzuar për gjenocid në Bosnjë dhe Kroaci gjatë viteve 92-95. Lajmin e konfirmon në një konferencë për shtyp presidenti serb Boris Tadic: “Vendi është sot më i sigurt. Tani shpresoj që BE t’i hapë dyert Serbisë”

Romë 26 maj 2011 - Policia serbe ka arrestuar Ratko Mladic, ish gjeneralin serb të akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1996 nga Gjykata Penale ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara. E ka konfirmuar lajmin vetë presidenti serb Boris Tadic në një konferencë për shtyp sot në orën 13.00, gjatë cilës mes të tjerave tha: “Jam krenar për arrestimin e Mladic-it, por duhet vazhduar me kërkimin e shokëve të tij, të atyre që e kanë ndihmuar të fshihet për kaq vjet, qofshin këta edhe anëtarë të qeverisë. Do të arrestojmë edhe Goran Hadzic. Po bëjmë gjithçka në respekt të ligjeve kombëtare e ndërkombëtare. Mendoj që tani Europa duhet t’i hapë dyert Serbisë”.

Mladic është akuzuar nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkeljen e ligjeve të luftës, për rrethimin e Sarajevës dhe kasaphanën e Srebrenicës. Gjatë epokës së ngjarjeve ishte komandant i forcave të armatosura e më pas komandant i shtabit të përgjithshëm. Nën komandën e tij u përzunë nga trojet e tyre dy milionë e gjysmë persona, mijëra të tjerë u torturuan, përdhunuan dhe u vranë barbarisht. Gratë përdhunoheshin për të lindur fëmijë serbë e më pas mund të vriteshin. Snajperët dhe artileria kishin si objektiv civilët të mbyllur në qytetet e rrethuara. Por Mladic njihet veçanërisht si xhelati i Srebrenicës, që konsiderohet një nga kasaphanat më të përgjakshme në historinë Europës nga lufta e dytë botërore. Sipas burimeve zyrtare viktimat e asaj masakre ishin 8.372 njerëz, por shoqata të ndryshme flasin për mëe shumë se 10.000.