ShBA. 45 vjet burg për terroristin kosovar, Sherifi - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Bashkë me 27-vjeçarin Hysen Sherifin janë dënuar edhe Ziyad Yaghi, 23 vjeç, me 32 vjet burg, dhe Mohammad Omar Aly Hassan, 24 vjeçar, me 15 vjet burg

Romë, 15 janar 2012 – Hysen Sherifi, 27-vjeçar me origjinë nga Gjilani i Kosovës, është dënuar me

45 vite burg në SHBA për terrorizëm. Sherifi është shpallur fajtor sepse bashkë me tetë persona të tjerë po përgatitej për sulme ndaj një baze të marinës amerikane. Bashkë me Sherifin është dënuar edhe Ziyad Yaghi me 32 vjet burg dhe Mohammad Omar Aly Hassan, me 15 vjet burg.

Sherifi e quajti dënimin e tij të padrejtë. “Unë besoj se jam i pafajshëm. Nuk ka asnjë konspiracion”, tha ai para gjykatësve.

Një gjykatë federale i ka shpallur fajtorë tre persona nga Karolina Veriore, në procesin që ishte i fokusuar në komplotet e dyshuara për kryerje të sulmeve terroriste kundër një baze të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas akteve gjyqësore, Mohamed Omar Aly Hassan, Ziyad Yaghi dhe Hysen Sherifi, janë gjetur fajtorë për dhënie të mbështetjes materiale për terroristët.

Yaghi dhe Sherifi, po ashtu, janë shpallur fajtorë për konspiracion për ndërmarrje të sulmeve kundër bazës, ndërsa Hassan ishte liruar nga kjo pikë e aktakuzës.

Gjatë procesit, prokurorët pretenduan se Hysen Sherifi, refugjat nga Kosova kishte bërë konspiracion me personin Daniel Boyd, po ashtu i akuzuar, që të sulmojnë një bazë ushtarake amerikane në Kuantiko, afër Uashingtonit.

Mohamed Omar Ali Hasan dhe Zijad Jaghi kanë shtetësi amerikane, ndërsa Hysen Sherifi ka qëndrim të rregullt të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.