Shkaktoi vdekjen e nënës me dy fëmijë, dënohet i zoti i shtëpisë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Në mars 2009 në Barberino di Mugello humbën jetën Gjelina Gonaj me dy fëmijët e saj. Dënohet me dy vjet burg Michele Barillaro për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia

Romë, 23 nëntor 2011 - Është dënuar të hënën me vetëm dy vjet burg pronari i pallatit, Tommaso Mengoni, 40 vjeç, që u njoh fajtor për vdekjen më 1 mars 2009 të nënës shqiptare me dy fëmijët e saj.

Gjelina Gonaj, 37 vjeç dhe fëmijët e saj Sidorela 13 vjeç dhe Dorian 12 vjeç, humbën jetën në shpërthimin e fortë të flakëve në apartamentin e tyre për shkak të përhapjes së gazit. Zjarri ka qenë e madh e i menjëhershëm, dhe ka shkaktuar shembjen e tarracës, gjë që ka bërë të pamundur ndërhyrjen e forcave të shpëtimit. Babai i familjes, Gëzimi, ka shpëtuar vetëm sepse nuk gjendej në apartament, ish nisur për në Shqipëri një ditë më parë.

Sipas hetimeve të mëpasshme doli në dritë që zjarri ka shpërthyer, përveç gazit, edhe për shkak të një cigareje të ndezur pikërisht nga i zoti i pallatit që jetonte në apartamentin poshtë atij të familjes shqiptare. Mengoni vetë shpëtoi pasi zhvendosja e ajrit në shpërthimin e flakëve e ka flakur jashtë apartamentit të tij në katin përdhes.

Gjykata e njohu atë fajtorin e vetëm për vdekjen nga pakujdesia të nënës me dy fëmijët e saj, duke e dënuar me dy vjet burg (falë procesit gjyqësor të përshpejtuar, që redukton ndjeshëm dënimet). Sipas akuzave, ai nuk mori asnjëherë ndonjë masë për riparimin e rubinetit të gazit edhe pse Gjelina shpesh ishte ankuar se ndiente erë gazi. Për më tepër, në vitin 2001 ai kishte ristrukturuar bashkë me të atin ndërtesën, dhe shembja e menjëhershme e tarracës, tregon se nuk ish bërë siç duhej.

Përveç heqjes së lirisë ai duhet t’i paguajë 300 mijë euro Gëzim Gonajt, babait të fëmijëve, mbi 100 mijë euro nënës së Gjelinës dhe nga 50 mijë secilit prej 9 pjesëtarëve të tjerë të familjes së gruas.