Shpresa, Gioia dhe Janissa mbërrijnë në Shqipëri - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Romë, 7 nëntor 2011 – Ka mbërritur në Rinas rreth orës 22.20, avioni BelleAir i nisur nga Genova që ka çuar në atdhe Shpresën e dy vajzat e saj, Gioia dhe Janissa. Tre arkivolet janë transportuar këtë pasdite nga morgu i spitalit San Martino në aeroport pasi nga e premtja e zezë deri më sot, qindra persona, të njohur miq e të afërm, shqiptarë e italianë, u kanë dhënë atyre lamtumirën e fundit e kanë ngushëlluar si kanë mundur Flamur Djalën, 39 vjeçarin që në 4 nëntor humbi krejt familjen e tij. Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Liguria, Giuseppe Durazzo dhe e shoqja e tij kanë qenë vazhdimisht në kontakt me familjen jo thjesht për t’i ngushëlluar por edhe për t’i ndihmuar në përmbushjen e formaliteteve të ndryshme të nevojshme për transportimin e trupave në Shqipëri.

Destinacioni i fundit është Shënkolli i Lezhës ku të afërmit e familjes kanë hapur dyert për mortin që u ka rënë. Të afërmit rrëfejnë për Neës24 se bashkëshorti i Shpresës, Flamuri është akoma i shokuar për humbjen e familjes së tij. “Kurrë mos pafshim më tragjedi të tilla” apo “Shkojnë e punojnë në emigrim e vijnë kufoma” janë komentet që bëjnë me lot në sy familjarë të Flamurit e Shpresës.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nesër në orën 13.00