Skandali i futbollit. Avokati i Mehmetit: “Njeh Frattinin dhe politikanë të tjerë” - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Jo vetëm ministri i Jashtëm italian Franco Frattini, por edhe politikanë të tjerë duket se kanë pasur lidhje me Ismet Mehmetin, shqiptarin e përfshirë në skandalin e fundit të futbollit italian. Sipas agjencisë italiane të shtypit, Ansa, avokati i tij Luca Donelli ka shpjeguar lidhjet me politikanë italianë me faktin që “Mehmeti merret me politikë në Shqipëri, në nivel të lartë”, aq sa “duhet të merrte së shpejti edhe detyra qeveritare, por ndodhi kjo që ndodhi ...”.

Pas botimit nga mediat italiane të disa pjesëve nga zbardhja e përgjimeve telefonike që kishin të bënin pikërisht me marrëdhëniet mes Mehmetit dhe Frattinit, avokati saktëson që ministri i jashtëm italian “nuk është i vetmi politikan me të cilin flet” klienti i tij, edhe për shkak se “në Itali Mehmeti mbulon detyra të rëndësishme pë komunitetin shqiptar”. Sipas avokatit, përfshirja në hetime e Mehmetit shpjegohet vetëm me rolin e “ndërmjetësuesit” në  “një negociatë që po bëhet për blerjen e Ravenna Calcio-s”. Në fakt mes akteve është edhe një telefonatë me drejtorin e Ravenna-s, Giorgio Buffone, gjatë të cilës del edhe emri i ministrit. “Mund të tregojmë pa problem marrëdhëniet me politikanët italianë”, ka shtuar avokati.

Gjithnjë sipas avokatit, Mehmeti është një i pasionuar pas futbollit, që ka “marrëdhënie me shumë klube evropiane” ndërsa roli i tij si “financiator në hije” sipas hetimeve, është jashtë mundësive të tij ekonomike. Ai jeton me të ardhura “nga ndërtime, në Shqipëri”.

Lexo edhe: Skandali i futbollit. Edhe një shqiptar mes të akuzuarve