Tetë vjet burg sipërmarrësit që në 2006 vrau Elvis Hoxhën, 19 vjeç - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Antonio Monella dënohet me proces të përshpejtuar për vrasje me dashje. Në shtator 2006 qëlloi me armë zjarri dhe la të vdekur Elvis Hoxhën që po i vidhte makinën. Avokati shpresonte që klientit të tij t’i njihej mbrojtja e ligjshme

Romë, 13 tetor 2011 – Duhet të vuajë tetë vjet heqje lirie për vrasje me dëshirë, sipërmarrësi 50-vjeçar nga Arzago d’Adda, Antonio Monella, që natën duke gdhirë 6 shtatori 2006 qëlloi me armë zjarri mbi hajdutin që po i largohej nga shtëpia. Hajduti, Elvis Hoxha, që vdiq brenda pak orëve në spital, ishte vetëm 19 vjeç.

Antonio Monella, sipërmarrës ndërtimi nga Arzago d'Adda, i zgjuar në mes të natës nga zhurmat e hajdutëve që po i vidhnin makinën, Monella nuk u mendua dy herë, rroku pushkën, doli në ballkon dhe shtiu. Një nga plumbat goditi makinën e tij, ndërsa një tjetër një nga tre hajdutët. Këta heqin dorë nga vjedhja e Mercedesit të Monellos, shkojnë me vrap drejt makinës me të cilën kishin ardhur dhe zhduken në errësirë. Pas nja një ore, pranë një lokali në Truccazzano, në afërsi të vilës së sipërmarrësit, gjejnë Elvisin në gjendje tepër të rëndë, të plagosur më armë jarri në gjoks, ndaj edhe karabinierët kuptojnë menjëherë që është djali i qëlluar nga Monella. I dërguar menjëherë në spitalin e Melzos, vdes pas pak orësh. Elvis Hoxha ishte në Itali prej dy vjetësh dhe nuk kishte dokumente qëndrimi.

Avokati i sipërmarrësit, Enrico Mastropietro, u përpoq të kalonte vrasjen si “mbrojtje të ligjshme” dhe kishte kërkuar pafajësinë e plotë të klientit të tij. Sipas avokatit, në bazë të ligjit mbi mbrojtjen e ligjshme, në rastet e shkeljes në banesën private i zoti i shtëpisë mund të mbrohet, për të tutëluar veten e tij, por edhe të mirat e tij materiale.

Mbi të shtënën e sipërmarrësit ka pasur një betejë edhe mes prokurorisë së Bergamos dhe gjykatës. Ekspertizat balistike të akuzës dhe të mbrojtjes kishin demonstruar që sipërmarrësi nuk kish marrë nishan për të vrarë një nga keqbërësit që i kishin hyrë në shtëpi. Për këtë arsye prokuroria kishte ngulur këmbë të “tepria e pakujdesshme e mbrojtjes së ligjshme” dhe jo në “vrasjen me dashje”.

Por sipas gjykatëses se seancës paraprake, Bianca Maria Bianchi, nuk ishte mbrojtje e ligjshme (për të cilën nguli këmbë edhe avokati), sepse hajdutët po largoheshin, pra nuk po e kërcënonin më sipërmarrësin dhe ky ndërsa shkrehte armën duhet ta mendonte se mund të vriste ndonjë. Për këtë arsye dokumentacioni iu kthye prokurorisë dhe akuza u riformulua për veprën penale të vrasjes me dashje.

Dhe pikërisht për vrasje me dashje, më 13 tetor, pas pesë vjetëve nga ngjarja, Antonio Monella dënohet me 8 vjet burg.

Lexo edhe: Shënjestër