Trafik droge mes Shqipërisë e Sicilisë. Arrestohen 23 persona, 4 janë shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Me një operacion të gjerë policie në provinca të ndryshme të Sicilisë, por edhe në Romë e në Gioia Tauro të Kalabrisë, janë arrestuar mëngjesin e sotëm 23 persona dhe janë sekuestruar drogë e armë.

Romë, 2 prll 2014 – Në kuadrin e operacionit “Agnellino”, në Comiso, Scicli dhe Santa Croce Camerina të Sicilisë policia ka shkatërruar një rrjet kriminal që administronte trafikun e drogës, në krye të të cilit ishin italianë të grupit mafioz Dominante-Carbonaro dhe disa shqiptarë. Janë arrestuar gjithsej 23 vetë, mes tyre edhe katër shqiptarë Roland Kalemaj (edhe e shoqja italiane e këtij, Bartolomea Arrabito), Armand Hasalla, Shpëtim dhe Ylber Xeka

Sipas forcave të rendit, organizata arrinte të nxirrte disa qindra mijëra euro fitime në muaj. Në krye të saj ishin Emanuele Firrisi, që dyshohet të jetë një eksponent i mafias në Comiso, Antonino Ferrante, me shumë precedentë penalë, eksponent i kriminalitetit të organizuar në Scicli, Roland Kalemaj, pikë referimi e organizatës për furnizimin me drogë të provincës së Ragusës dhe Armand Hasalla, që blinte drogën (qindra kg marihuanë e kokainë) në Shqipëri dhe organizonte transportin e saj në Sicili.

Në operacionin e policisë për shpartallimin e organizatës kriminale, mëngjesin e sotëm janë vënë në lëvizje 180 agjentë të Kuesturave e komisariateve të ndryshme të Sicilisë, Ragusa, Comiso, Vittoria e Modica, Palermo, Catania, Scicli. Disa nga arrestimet janë bërë në edhe në Romë e Gioia Tauro në bashkëpunim me kuesturat e këtyre qyteteve.

Gjatë arrestimeve janë sekuestruar edhe drogë e armë.

Të arrestuarit janë mbyllur në burgjet e Ragusës, Augustës, Siracusës dhe Tarantos në pritje të marrjes në pyetje nga gjykatësi për hetimet paraprake të Catanias.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)