Tragjedia e Leccos. Qyteti në zi për tre motrat e vrara nga nëna - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në mesditë është mbajtur një minutë heshjte në shkolla dhe në zyrat publike. Në darkë një ceremoni mortore e organizuar nga autoritetet vendase ku do të jenë të pranishëm edhe konsujt tanë në Milano

Romë, 13 mars 2014 – Sot në gjithë qytetin e Leccos, me vendim të kryetarit të komunës, është shpallur ditë zie. Në mesditë, shkolla, shumë zyra dhe fabrika të Leccos kanë mbajtur edhe një minutë heshtje në shenjë kujtimi të tri vajzave të ndara nga jeta në moshë kaq të njomë, të masakruara nga dora e nënës së tyre.

Në orën 19.00 do të mbahet edhe një ceremoni mortore e organizuar nga autoritetet vendase. Do të marrin pjesë prefekti, presidenti i Povincës dhe kryetari i Komunës së Lekos. Nga konsullata e Milanos do të jenë të pranishëm në këtë ceremoni Konsullja e përgjithshme Luljeta Çobanaj dhe konsulli Rezart Shkëmbi.

Sonte, në fjalën e saj, veç ngushëllimeve personale, falënderimeve për komunitetin e autoritetet lokale që i kanë qëndruar pranë familjes në këto ditë të vështira, konsullja e përgjithshme Çobanaj do të përcjellë edhe “ngushëllimet e thella nga anë e kryeministrit Rama, e ministrit të Jashtëm Bushati dhe e të gjithë konsullatës”. Kështu thotë konsullja e kontaktuar nga Shqiptariiitalise.com, pa mundur të fshehë tronditjen e lotët, e cila bashkë me konsullin Shkëmbi, nga e diela kanë bashkëpunnuar me forcat e rendit dhe administratën lokale të Leccos për zgjidhjen e të gjitha çështjeve burokratike për përcjelljen në Shqipëri të trupave të vajzave.

Pasditen e të mërkurës në Casa sul Pozzo, në periferi të Leccos babai Bashkim e familjarë të tjerë kanë pritur ngushëllime për tri motrat e vrara nga nëna. Me qindra shqiptarë e vendas, familjarë, miq, shokë klase të vajzave me prindërit e tyre, të njohur e të panjohur kanë vendosur lule të bardha mbi arkivolët e bardhë të Simonës, Sidnit dhe Keisit dhe i kanë ndenjur pak çaste pranë babait të tyre.

Në strukturën e vënë në dispozicion familjes Dobrushi për të pritur ngushëllimet, qoftë në hyrje qoftë brenda ishin vënë foto të mëdha të tri motrave së bashku. Shumë nga shokët e bashkëmoshatarët kanë lënë mesazhe, kanë vizatuar zemra, në mënyrën e tyre kanë shprehur dashurinë për miket dhe keqardhjen që nuk do t’i takojnë më ato.

Nesër në mëngjes arkivolet e vajzave të shoqëruara nga i ati, Bashkim Dobrushi, do të nisen për në Shqipëri. Ato do të varrosen në Kukës, vendlindja e prindërve të tyre.