Tragjedia e Leccos. Sonte qyteti u jep lamtumirën tri vajzave të vrara nga nëna - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Mbrëmjen e sotme, në orën 18.30, në Bazilikën e qytetit do të mbahet një meshë në kujtim të tri motrave, nesër vajzat do  të çohen në Shqipëri për t'u varrosur në Kukës, vendlindjen e prindërve

Romë, 12 mars 2014 – Mbrëmjen e sotme, qyteti i Leccos u jep lamtumirën tri motrave që mëngjesin e 9 marsit u vranë me thikë nga nëna e tyre. Trupat e Simonës, Keisit dhe Sindit do të çohen në Casa sul Pozzo, komuniteti i atë Angelo Cupinit në Chiuso (lagjja periferike e Leccos ku jetonin vajzat me të ëmëm).

Aty, shqiptarë e italianë, do të mblidhen për të ngushëlluar babanë dhe për të përshëndetur për të fundit herë tri vajzat e vogla para se të largohen njëherë e përgjithmonë nga qyteti ku kaluan vitet e pakta të jetës së tyre.

Mbrëmjen e sotme, në orën 18.30, në Bazilikën e qytetit do të mbahet një meshë në kujtim të tri motrave, ku do të mblidhen të krishterë e myslimanë.

Ndërsa të premten, në xhaminë e Chiusos, komuniteti mysliman i zonës do të mbajë një ceremoni mortore lutjesh.

Ndërkohë, Edlira Dobrushi, nëna vrasëse e vajzave të veta, gjendet akoma e shtruar në spital ku po kurohet për plagët e marra në tentativën e vetëvrasjes, gjithnjë në gjendje arresti. “Ishte nënë e mirë, por më vrau vajzat e këtë gjë nuk do t’ia fal kurrë”. – thotë për të Bashkim Dobrushi, që nuk arrin të kuptojë krimin e gruas prej të cilës ishte ndarë vetëm pak muaj më parë, por që takonte thuajse çdo ditë sepse jetonte me të vëllanë as 500 metra larg shtëpisë ku banonte Edlira me të bijat. “Vajzat tona ishin të mrekullueshme dhe ajo ishte nënë e mirë, si të gjitha nënat. Edhe pse ne nuk shkonim më mirë e shpesh grindeshim, nuk e kisha imagjinuar kurrë se do t’u bënte keq vajzave”.

Lexo edhe:
Tragjedi familjare në Lecco. Nëna vret me thikë tre vajzat e saj