Udine. Lulzim Hadaj dënohet me 30 vjet burg për vrasjen e të shoqes - Shqiptari i Italisë

Kronikë
E qëlloi në mënyrë barbare me thikë dhe e la të vdekur para syve të vajzave të vogla

Romë, 17 korrik 2014 – Një grindje në familje mes burrit e gruas ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme më 18 qershor 2013 në San Giovanni al Natisone të Udines. I nxehur keqas, Lulzim Hadaj 36 vjeç ka marrë një thikë në kuzhinë dhe i është vërsulur të shoqes, Irma, 33 vjeçe, duke e qëlluar rreth 40 herë me gjithë fuqinë e tij. E gjithë kjo ka ndodhur përpara syve të dy vajzave të vogla të çiftit njëra 8 e tjetra 10 vjeçe, të parat që kanë dhënë alarmin.

Sot, Lulzim Hadaj është dënuar me 30 vjet heqje lirie nga gjyqtari i seancës paraprake të gjykatës së Udines. I mbyllur në burg menjëherë pas krimit, Hadaj akuzohet për vrasje me dashje me rrethanat rënduese të egërsisë dhe të lidhjes familjare me viktimën.

Gjyqtari ka pranuar plotësisht versionin e prokurorit dhe veç heqjes së lirisë ka vendosur për Hadajn edhe pezullimin e pushtetit atëror mbi vajzat për të gjithë kohëzgjatjen e dënimit si edhe dhënien e dëmshpërblimeve për palën civile: 280 mijë euro për secilën vajzë, nga 200 mijë euro vjehrrit e vjehrrës dhe nga 60 mijë euro kunatit dhe kunatës.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)