Vdekja në burg e Ilia Karelit - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Torturat çnjerëzore në burgun e Nigritës në Greqi që i shkaktuan vdekjen 42-vjeçarit e për të cilat janë paditur 15 roje e punonjës të burgut dokumentohen edhe me video e foto.  I botojnë mediat greke

Romë, 11 prill 2014 –Vdekja në burgun grek të Nigritës  e 42-vjeçarit shqiptar Kudret Kume, i njohur me emrin Ilia Kareli dokumentohet tashmë me foto e video. Imazhet e marra nga telekamerat e burgut ku u masakrua për vdekje pasditen e 27 marsit nga rojet e burgut, janë rrëqethëse dhe nuk lënë shumë vend për dyshime mbi fajësinë e personelit të burgut, përfshirë edhe drejtorin e tij që edhe pse nuk merr pjesë në rrahje është në dijeni të asaj çka ndodh.

Nga timecode i videos kuptohet qartë se Kareli futet në burgun e Nigritës me këmbët e veta në orën 15.45 të 27 marsit. Mbërrin këtu nga burgu i Malandrinos, ku më 25 mars ka vrarë një roje.

Me të mbërritur në burgun e Nigritës, shoqërohet nga dhjetë roje të burgut në një dhomë që njihet me emrin “frigorifer”, ndërsa i përgatisin qelinë e tij. Në “frigorifer” Kareli qëndron për rreth tre orë, gjatë të cilave rojet e burgut e kanë torturuar në mënyrë barbare. Del prej andej, gjysmë i zhveshur, i tërhequr thuajse zvarrë nga rojet në orën 18.37. Rreth orës 19.25 i çojnë darkën në qeli, dhe rreth orës 23.30, pasi shohin që nuk lëviz prej dy orësh, rojet zbulojnë se Kareli i shtrirë në krevat nuk jep shenja jete. Në orën 23.54 vjen ekipi mjekësor me barelë, por për Karelin është tepër vonë: mjeku nuk mund të bëjë tjetër veçse të konstatojë vdekjen e tij.

Kjo është ajo çka jep videoja 5 minutëshe e botuar online nga gazeta greke “Kathimerini” të enjten më 10 prill, dy javë pas vdekjes së Karelit, duke dokumentuar kështu edhe me video atë çka atij i ndodhi në burg gjë që kishte dalë në dritë edhe nga autopsia.

Videoja përmbledhëse e orëve të fundit të jetës së Ilia Karelit:

Për këtë ngjarje prej disa ditësh janë akuzuar 15 roje të burgut, por jo drejtori edhe pse në video duket se ai është i pranishëm dhe s’ka si të mos jetë në dijeni të rrahjes së Karelit. Nga tetë prej të akuzuarve që janë marrë në pyetje, gjashtë janë arrestuar, ndërsa dy janë lënë të ndiqen në gjendje lirie. Shtatë të tjerët do të merren në pyetje ditët në vijim.

Sikur të mos mjaftonte, vdekja brutale, nga autopsia e përsëritur në Shqipëri me kërkesë të familjarëve u mësua që Ilia Karelit i mungonte zemra, gjë për të cilën nuk ishte thënë asnjë fjalë deri në atë çast. Autoritetet greke pranuan më pas se e kishin mbajtur për ekzaminime të mëtejshme.

Në fakt sot, 15 ditë pas vdekjes mbërrijnë edhe rezultatet e analizave histologjike të indeve të zemres dhe të trupit të tij. Sipas mjekëve ligjorë grekë, ka rezultuar se 42-vjecari shqiptar ka pasur një problem në një nga tre enët koronare, i shkaktuar nga një defekt i valvulave të zemrës, i cili në kombinim me thyerjen e disa brinjëve në kafazin e kraharorit ka shkaktuar vdekjen e tij. Ata deklarojnë gjithashtu se mbi Karelin nuk është ushtruar dhunë me ndonjë aparat që shkakton elektroshok dhe se plaga në dorën e tij është shumë më e vjetër.