Vdes bigami shqiptar, secila nga dy gratë kërkon trashëgiminë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Lajmi i pazakontë i të përditshmes “Il Resto del Carlino”

Dy bashkëshorte dhe një burrë, për më shumë që ka ndërruar jetë. Dy gra që tani kërkojnë të marrin paratë e sigurimit.

Një dilemë e madhe ajo e gjykatësit civil të Pavias, qyteti ku burri jetonte së bashku me bashkëshorten e dytë. E para jetonte në Rimini së bashku me djalin që ka me ‘burrin’.

Protagonist i pavullnetshëm i kësaj ngatërrese është një shqiptar me fe muslimane i cili në vitin 1991 ka mbërritur në Itali së bashku më gruan. Ka ikur nga trazirat dhe shpreson e një jete të re. Në vitin 1992 çifti mbërrin në Rimini, ai gjen punë si shofer dhe marrin dokumente të rregullta. Vitet kalojnë, bëhen më një fëmijë dhe rreth vitit 1996 ai kthehet për një periudhë në Shqipëri. Ndoshta marrëdhënia me gruan nuk shkon më shumë mirë, ose thjesht nuk e ka problem që të dashurohet dhe të martohet edhe një herë në Shqipëri. Feja e tij ia lejon, dhe fakti është se brenda pak kohe ai sjell edhe këtë grua në Itali. Shkojnë të jetojnë në Pavia, me sa duket me aprovimin edhe të gruas së parë. Sipas traditës njëra e din për tjetrën dhe ne një mënyrë a në një tjetër ai arrin t’i mbajë të dyja. Ka një tjetër fëmijë me gruan e dytë me të cilën jeton faktikisht. Megjithëse kur shkon në Rimini, duket se nuk ka asnjë problem të frekuentojë edhe gruan e parë.

Gjërat shkojnë vaj deri më 22 shtator të vitit 2006 kur 41 vjeçari shqiptar vdes në një aksident të tmerrshëm rrugor në afërsi të Tortona-s. Një ngjarje që ai sigurisht nuk e kishte parashikuar kur ishte martuar dy herë dhe kur kishte sjellë  të dyja gratë në Itali, një vend ku bigamia është e paligjshme e pra nuk ka një ligj që ta disiplinojë. Të dyja gratë ama janë të bindura që kanë të drejtë të marrin dëmshpërblimin për dëmin moral që i takon bashkëshortes në rastin e një tragjedie si kjo. Sigurimet nuk kanë derdhur ende asnjë qindarkë asnjërës prej të dyjave (megjithëse dëmi në fjalë ende nuk është vlerësuar) sepse nuk di se cilës prej të dyjave duhet t’ia japë çekun.

Rezultati është që tani dy gratë ndodhen përpara Gjykatës së Pavias e cila duhet të vendosë se kujt i takon sipas ligjit roli i vejushës. Një lloj drejtimi mbi vendimin e mundshëm gjykatësi e ka dhënë përpara pak kohësh, kur avokati Raffaele Beatrice, që përfaqëson “bashkëshorten e Riminit”, kërkoi për llogari të klientes së vet një paradhënie të shumës. Përgjigjja qe negative. Sipas gjykatësit gruaja e parë prej vitesh nuk bashkëjetonte me të ndjerin dhe në motivacionin e vendimit lexohet “në çdo rast nuk del se lidhja e martesës, që nuk qenka prishur, përputhet me një situatë reale të faktike të tillë që të legjitimojë pretendimin për marrjen e dëmshpërblimit për humbjen e bashkëshortit: pra duhet të mbizotërojë rrethana e asaj që bashkëjetonte me viktimën në kohën e aksidentit”.

Në shkrim duket i pavend fakti që “feja ia lejon bigaminë”. Në Shqipëri (përfshirë edhe periudhën e regjimit) nuk ka qenë asnjëherë në fuqi bigamia. Ligji shqiptar nuk e ka parashikuar asnjëherë një gjë të tillë. Është më e arsyeshme të mendohet që personi ka marrë lehtësisht (pa verifikimet e duhura apo me dokumente të rreme) nulla-ostën për martesën e dytë, ndërkohë që nuk kish zgjidhur legalisht të parën. Ndërsa përsa i përket regjistrimit në komunën italiane të rezidencës, nuk e ka regjistruar ndonjëherë njërën prej martesave, ndaj nuk ka pasur probleme.