Venecia. I pafajshëm kamerieri i akuzuar për përdhunimin e 18-vjeçares angleze - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Sipas  gjykatësve, ka fituar versioni i kamerierit shqiptar, P.B., se 18-vjeçarja ishte e vetëdijshme kur bëri seks me të në banjën e lokalit ku ai punonte

Romë, 21 dhjetor 2011 – Gjykata ka dhënë sentencën e saj: është i pafajshëm kamerieri shqiptar i akuzuar tre vjet më parë për përdhunimin e një anglezeje 18 vjeçe. Gjyqi i referohej një ngjarjeje të prillit të vitit 2008 që asokohe bëri shumë bujë. Një studente angleze kishte ngrënë drekë në Terrazza Sommariva në Venecia ku asokohe punonte si kamerier 28-vjeçari shqiptar (i pushuar nga puna menjëherë pas kësaj ngjarjeje).

Disa orë pas dreke, vajza ka paditur djalin për përdhunim në banjat e lokalit, por dinamika e ngjarjeve e treguar prej saj nuk ka bindur gjykatësit. Restoranti është shumë i vogël, e megjithatë askush nuk dëgjoi apo kuptoi gjë për çka po ndodhte në banjë, e vajza nuk ka ngritur zërin për të kërkuar ndihmë. Gjykatësit nuk i bindi versioni i saj edhe për shkak se studentja nuk denoncoi menjëherë përdhunimin, por shkoi në hotel bashkë me shoqen e saj, i treguan ç’kish ngjarë portierit të hotelit e vetëm më pas vendosën të padisin shqiptarin për përdhunim. Nga anë e tij, P.B. është mbrojtur gjithnjë duke thënë se vërtet kanë bërë seks por jo pa dëshirën e vajzës. Ish kolegët e tij kanë pohuar që mes të rinjve kishte lindur miqësi, dhe pikërisht njëri prej tyre i kishte thënë vajzës së ulur në një tavolinë të restorantit që 28-vjeçari po e priste në banjë.

Sipas deklaratave të vajzës, kishte pranuar të shkonte në brendësi të lokalit për të takuar kamerierin  shqiptar sepse kish kujtuar se do të shkëmbenin dy fjalë, por se më pas nuk  ia kishte dalë të bënte diçka kundër përdhunimit, as të bërtiste, pasi kish qenë shumë e trembur.

Në përfundim të gjykimit, me sentencën e tyre gjykatësit i kanë dhënë të drejtë djalit. Sipas tyre djali është i pafajshëm pasi nuk ka prova të sigurta që të vërtetojnë fajësinë e tij. Për më tepër as vajza e as shoqja e saj nuk u paraqitën në gjyq për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes.